Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, që të dy të enjten kanë bërë thirrje për rritjen e kapaciteteve bërthamore të vendeve të tyre.Trump ka thënë se ekziston nevoja për rritjen e kapacitetit bërthamor të Amerikës, derisa bota “të vetëdijesohet” – një sinjal që ai mund të mbështesë përpjekjet e kushtueshme për të modernizuar arsenalin e vjetruar bërthamor amerikan, transmeton Gazeta Express.
Edhe Putin ka folur për të njëjtën çështje të enjten në Rusi, duke thënë se Rusia ka nevojë “të forcojë potencialin ushtarak të forcave strategjike bërthamore, veçanërisht me komplekse raketore, që mund të thyejnë suksesshëm çfarëdo sistemi ekzistues dhe të ardhshëm të mbrojtjes nga raketat”.
Putin ka shtuar se Rusia “duhet të vëzhgojë me kujdes çfarëdo ndryshimesh në ekuilibrin e pushtetit, dhe në gjendjen politiko-ushtarake në botë, veçanërisht përgjatë kufijve rusë, dhe të adaptojë shpejt pëanet për neutralizimin e rreziqeve ndaj vendit”, transmeton Gazeta Express.
Gjatë dekadës së ardhshme, nëndetëset dhe avionët bombardues bërthmamorë amerikanë, dhe raketat tokësore – tri elementet e triadës bërthamore – pritet të arrijnë fundin e jetëve të tyre.
Mirëmbajtja dhe modernizimi i arsenalit pritet të kushtojë rreth 1 trilion dollarë gjatë 30 vjetëve të ardhshëm, sipas disa llogaritjeve të pavarura, përcaktoi “Express”. (b.an)