Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i ka dërguar një mesazh urimi Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama.
“I nderuar Zoti President, përvjetori i 239-të të Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës më jep kënaqësinë e veçantë, që në emrin tim dhe të popullit shqiptar, të përcjell urimet me të mira e të sinqerta për Ju dhe popullin mik amerikan. Kjo ditë e veçantë për vendin tuaj më jep gjithashtu mundësinë që, në emër edhe të të gjithë qytetarëve shqiptarëve të rishpreh mirënjohjen më të thellë për gjithçka që Shtetet e Bashkuara kanë bërë për pavarësinë, mbështetjen e proceseve demokratike dhe konsolidimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri”, theksohet ne mesazh.
“Shqiptarët nuk do të harrojnë kurrë edhe ndihmën e madhe që Shtetet e Bashkuara dhanë për fitimin e pavarësisë së Kosovës, duke i bërë qytetarët e saj të ndihen të lirë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor të çlirohet nga konfliktet etnike. Falë mbështetjes thelbësore të Shteteve të Bashkuara, Shqipëria përmbushi kriteret dhe standardet e nevojshme dhe që prej disa viteve është anëtare e NATO-s, duke u rreshtuar me krenari përkrah SHBA-se dhe vendeve të tjera të Aleancës. Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara mbeten të një rëndësie parësore dhe strategjike për vendin tim dhe për këtë arsye sot jemi më të vendosur se kurrë për t’u rreshtuar krah jush në përballimin e luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe ISIL-it. Me besimin e palëkundur se këto marrëdhënie do të forcohen edhe më tej dhe do të njohin zhvillime pozitive në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!”, përfundon urimin presidenti Nishani. /ATA/