Tashmë është konfirmuar edhe zyrtarisht: ushtria siriane ka shtënë nën kontrollin e saj qytetin e rrethuar të Aleppos, pas evakuimit të grupit të fundit të civilëve dhe rebelëve.
Forcat besnike të Bashar al-Assadit kanë njoftuar marrjen e qytetit përmes një deklarate zyrtare. Ndërkohë, një zyrtar i OKB-së kishte thënë më herët se më shumë se 34 mijë njerëz ishin larguar nga qyteti që prej së martës së kaluar.
Të evakuuarit janë dërguar në territorin e rebelëve në periferinë perëndimore të Aleppos dhe në provincën e Idlibit. Kjo është edhe fitorja më e madhe e presidentit Bashar al-Assad, fushata e të cilit u ndihmua nga sulmet ajrore ruse.
Në deklaratën e publikuar në televizionin shtetëror sirian, ushtria njoftoi “rikthimin e sigurisë në Aleppo, pasi largoi terroristët e fundit që qëndronin atje”. Qeveria siriane iu referohet si zakonisht me termin “terroristë” kryengritësve që donin rrëzimin e Assadit.
Aleppo ishte dikur qyteti më i madh i Sirisë dhe qendra më e madhe tregtare dhe industriale, përpara nisjes së trazirave kundër presidentit sirian në vitin 2011. Megjithatë, tashmë mbetet të shihet sesi do të rrjedhin ngjarjet në luftën civile siriane, pika kyçe e së cilës ka qenë beteja për Aleppon.
ma.me