Vizita zyrtare në Turqi e kreut të shtetit shqiptar, Bujar Nishani, është shfrytëzuar sërish nga Presidenti, Recep Tayyip Erdogan për të paraqitur edhe njëherë kërkesën e Ankarasë që Tirana të bashkëpunojë në luftën kundër organizatës FETO, të Fethullah Gylenit. Dhe konfirmimi që ka marrë nga Nishani, mësohet të ketë qenë pozitiv. Kaq ka mjaftuar që Erdogan ta falenderojë Shqipërinë për këtë vullnet të shprehur.
Siç njofton Anadolu Agency, Presidenti i Turqisë në fjalën e mbajtur në konferencën e përbashkët për shtyp ka vënë në dukje se në takimin me homologun shqiptar është biseduar edhe rreth asaj që ai e ka cilësuar si organizatën terroriste Fetullahçi (FETO).
Por kjo temë e bisedës dypalëshe, për arsye ende të paqarta, nuk është bërë publike nga pala shqiptare. Në njoftimin e Presidencës nuk është përmendur në asnjë rresht, fakti se mes Nishanit dhe Erdogan të jetë diskutuar kjo çështje.
Duket se kjo është edhe arsyeja që pala turke vendosi sot ta bëjë publik këtë fakt. Anadolu Agency, duke cituar Erdogan raporton se Presidenti i Turqisë është shprehur gjatë takimit me Nishanin se Turqia ka marrë mbështetjen e kreut të shtetit shqiptar për të bashkëpunuar në luftën kundër FETO-s.
“Është e drejta jonë të kërkojmë që Shqipëria të pastrojë territorin e saj nga elementët të cilët janë kërcënim për Turqinë. Jemi në bashkëpunim me policinë e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit dhe për sigurinë. Vendi jonë është duke dhënë përvojën dhe kontributin e tij ndaj policisë së Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit. Në këtë fushë zhvillojmë trajnime të ndryshme. Këto trajnime do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Gjatë takimit me Nishanin folëm edhe për organizatën terroriste FETO si dhe luftën kundër saj. Unë e falënderoj personalisht dhe në emër të popullit tim për ndihmën e dhënë ndaj nesh në lidhje me këtë çështje”, ka theksuar ndër të tjera Erdogan, raporton Anadolu Agency.
ma.me