Transferimi i Mërgim Mavrajt te Hamburgu është thuajse i përfunduar, ndonëse ende nuk është zyrtar. Për këtë janë të sigurt edhe te Këln, ku dje, në përfundim të ndeshjes ndaj Bajer Levekusenit, futbollistët kanë duartrokitur gjatë mbrojtësin e kombëtares shqiptare, bashkë me 50 mijë të pranishmit në stadium që kanë thirrur në kor emrin e tij.
“Për momentin jemi ende larg në dica çështje, shpresojmë të flasim më konkretisht brenda pak ditësh”, u shpreh mbrëmë Markus Gisdol, trajneri i Hamburgut, personi i cili ka insistuar që të afronte Mavrajn në klub. Sipas mediave gjermane, e vetmja gjë që diskutohet për momentin është shifra e transferimit të Mavrajt, I cili ka edhe 6 muaj kontratë te Këln. Parashikohet që palët të bien dakord për një shumë rreth 1,8 milionë euro, që do të kënaqte të dy klubet raporton Panorama. Ndërkaq, për Mavrajn parashikohet një kontratë deri në qershorin e vitit 2019, me të drejtën e zgjatjes për një tjetër edicion. Ajo që ndyrshon në krahasim me Këlnin është padyshim trajtimi financiar i mbrojtësit.
Rroga e tij në klubin e ri do të kalojë 1 milion euro në sezon, një shifër që Mavrajt nuk ia garantonin te klubi aktual dhe një prej arsyeve pse mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare vendosi të largohej, edhe pse ndjehej mjaft mirë te Këln.
“Nuk di të them nëse ikën apo nëse qëndron”, tha mbrëmë trajneri i Këlnit, Peter Shtoger. “Por Mërgimi ka pasur një zhvillim të jashtëzakonshëm pas një dëmtimi shumë të keq. Tani ai ka një ofertë në tavolinë dhe më bëhet qejfi, pasi një vit më parë askush nuk i vihej mbrapa. Ai e ka merituar plotësisht. Tani na mbetet të shohim se si do të vazhdojë ecuria e tij”, tha trajneri i Këlnit./a.m.