Nga Skënder Minxhozi/
Në fillim gjithçka ishte në duart e 140 personave. Në pjesën dërrmuese të tyre njerëz publikë, me emër dhe mbiemër, me karriera politike, partiake apo institucionale të të gjitha niveleve. Ishin deputetët e Kuvendit të Shqipërisë që kishin në dorë të votonin ose jo, në 21 korrik, paketën kushtetuese të reformës në drejtësi. Sot “muzika” duket sikur ka ndryshuar, por në fakt melodia, interpretuesit dhe publiku janë të njëjtët. Vetëm se duart që do vendosin nëse do të ketë ose jo dikur drejtësi ky vend, nuk janë më 140, por vetëm tetë.
Gjykata Kushtetuese përbëhet nga anëtarë të cilët jo të gjithë njihen publikisht. Në fakt, kur fjala vjen tek gjyqtarët e prokurorët, emrat dhe identitetet e tyre shkrihen disa herë padrejtësisht tek prototipi i matrapazit me ligjin, tek imazhi i njeriut me rrobë të zezë që shet e blen vitet e burgut, hektarët e pronave apo milionat e aferave “me shumë lek”. Ja që këtë të enjte tetë gjyqtarë (i njëjti paradoks si në 21 korrik), kanë në dorë të votojnë për të startuar ndryshimin e këtij nami të keq. Shumë të keq madje. Ashtu siç politikanët votuan edhe për dënimin e tyre eventual, në të ardhmen, edhe gjyqtarët e Kushtetueses janë të thirrur të marrin një vendim final për të vendosur një standart. Standartin e fillimit të një ere të re në demokracinë e brishtë e të korruptuar shqiptare.
Përtej fjalëve të bukura, paketa e reformës po mbetet e pleksur në tryezën e Kushtetuese, pasi aty po e çon pjesë-pjesë politika. Ajo që e votoi, por që më pas e hodhi si mish për top në tryezat e forumet e gjyqtarëve. Aty ku edhe thika e reformës parashikohet të ngulet më së pari. Nuk kemi si i shpëtojmë këtij paradoksi. Reformën duhet ta votojnë ata që mund të jenë subjekt i saj. Fati e ka sjellë që vetë gjyqtarët t’i thonë “Jo” lojrave të politikës e t’i hapin rrugë zbatimit pa kthim të reformës në drejtësi.
Gjykata Kushtetuese ka në dorë të vendosë standartin e mosprekjes dhe të mosndërhyrjes në një proces që ka nisur dhe që nuk do të ndalet, as sikur tetë gjyqtarët e Kushtetueses të thonë jo të enjten. Reforma në drejtësi është një plumb që ka dalë nga gryka e armës. Dhe një plumb që del nga gryka e armës nuk kthehet më aty. Është mirë që pasi kanë pyetur në Venecia, pasi kanë parë, dëgjuar e lexuar sesi e presin shqiptaret këtë reformë, pasi kanë dëgjuar sa e sa thirrje, lutje apo edhe paralajmërime nga shqiptarë e të huaj (kryesisht të huaj), tetë gjyqtarët e Kushtetueses të mos prekin një proces që para se të jetë shqiptar është rajonal, që para se të kërkohet nga politika vendase, kërkohet me forcë nga europianë e amerikanë.
Është mirë që kundër këtij trendi të mos ngrihet dora e mohimit, sepse vendit do t’i krijohen situata të panevojshme krize, por që në fund, vetëm sa do ta shtyjnë edhe pak atë që ka nisur pa kthim, në natën mes 21 dhe 22 korrikut 2016.