Përparimet më të fundit në teknologjinë e survejimit janë nxjerrë në një ekspozitë të Tel Aviv, duke ofruar kështu dhe mundësinë e rrallë për të hedhur një vështrim botës së spiunazhit izraelit. Ekspozita është pjesë e organizimit të një konference për të nxitur partneritetin ndërmjet industrisë ushtarake dhe asaj civile, raporton VOA.
Kamera të fshehta, mantele që të bëjnë të padukshëm dhe mini-drone, janë vetëm disa nga paisjet e shfaqura në ekspozitën e teknologjisë izraelite të survejimit. Disa kompani izraelite, një pjesë e tyre të themeluara nga ish-zyrtarë të zbulimit, paraqitën produkte të përdorura nga ushtarakët, njësitë policore dhe agjensitë e zbulimit në Izrael dhe në mbarë botën.
Është hera e parë që paisje survejimi të prodhuara në Izrael paraqiten në një mënyrë të tillë të hapur, thotë Ron Kitrey, ish-zyrtar zbulimi në pension dhe drejtor i konferencës.
“Është si një aijsberg. Pra nëse 90% ndodhet nën ujë, ne jemi duke ju rrëfyer vetëm majën. Mendoj se po japim një ide të mirë për të imagjinuar se çfarë mund të ndodhet nën sipërfaqe.”
Aktiviteti të lë shijen e një ekspozite të zakonshme industriale. Kompania “Ametrine Technologies” po demonstron produktin e saj, një palë veshje kamuflazhi që i fshehin ushtarët nga kamerat me sensorë nxehtësie.
Shumica e këtyre paisjeve u shiten vetëm agjensive qeveritare, përfshirë shërbimeve izraelite, Mossad dhe Shin Bet, si dhe atyre amerikane, CIA dhe FBI.
Kompania izraelite YTS po paraqet një makinë të bardhë Toyota Corolla, të cilën e ka transformuar në një makinë të survejimit të fshehtë për operacione speciale, me kamera të fshehura në sedilje dhe kroskot, të cilat japin një pamje të plotë 360 gradëshe. Një tjetër furgon i bardhë do të shërbejë si një qendër komande e fshehtë lëvizëse. Ndër të tjera, furgoni nuk e pikon në tokë ujin që nxjerr kondicioneri, për të mos dëftuar që makina është e ndezur.
“Makina është për misionet e fshehta, mbledhjen e informacionit nëpërmjet paisjeve të sofistikuara elektronike, pa rënë në sy nga makinat e zakonshme,”thotë Alon Tal, i kompanisë “YTS”.
Në konferencë marrin pjesë përfaqësues të shërbimeve të zbulimit, ushtrisë dhe policisë izraelite, si dhe atashe ushtarakë dhe ambasadorë të vendeve të ndryshme.
Drejtori i konferencës mendon se ndër ta ka edhe shumë “spiunë” nga vende të ndryshme që janë të interesuar për të mësuar rreth teknologjisë izraelite të zbulimit.