Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka shkruar në rrjetin e tij social në lidhje me 3 sulmet terroriste të ditëve në fundit në Europë, duke bërë një thirrje për këdo. Sulmet sipas kreut të diplomacisë shqiptare kanë për qëllim të vetëm ngjalljen e pasigurisë, një gjëndje të cilën kushdo do duhet ta luftojë.
Mesazhi i Bushatit
Tre ngjarje të kobshme dhe nga çdo pikëpamje të dënueshme tronditën sërish opinionin publik. Atentati ndaj Ambasadorit Rus në Ankara; përsëritja, sipas të gjitha gjasave në Berlin, e aktit makabër të ndodhur më parë në Nice; si dhe sulmi para një xhamie në Zyrih, synojnë të mbjellin pasiguri e të mbajnë gjallë psikozën e terrorit dhe kërcënimin ndaj normave të bashkëjetesës ndërkombëtare. Asnjë padrejtësi nuk mund të justifikojë vrasjen dhe terrorin! Ndajmë dhimbjen e familjeve të viktimave duke shprehur vendosmërinë për të vazhduar luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Jemi dëshmitarë të një Europe që vuan në një botë zeropolare. Por kjo situatë nuk duhet të na përkulë e as të na detyrojë të bëjmë kompromis me vlerat dhe objektivat tona./java/a.k