Vizita që kancelarja e Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel do të zhvillojë në Tiranë në datën 8 korrik, do të jetë vizita e parë zyrtare që një kancelar gjerman zhvillon në vendin tonë.
Drejtori i Komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga sqaroi për mediat se, vizita e vitit 1999, kur Tiranën e vizitoi kancelari Gerhard Schroeder, 12 vjet pasi u lidhën marrëdhëniet diplomatike midis Republikës Federale të Gjermanisë dhe Shqipëri, nuk konsiderohet si vizitë zyrtare e një kancelari gjerman në Tiranë, duke qenë se ishte pjesë e një delegacioni.
Fuga u shpreh se, në rreth 4 orë e 30 minuta të vizitës që kancelarja Merkel do të kalojë në Tiranë, do të ketë takim dhe konferencë të përbashkët me Kryeministrin Edi Rama, takim me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani dhe do të vizitojë ‘Tirana Business Park’.
Kancelarja gjermane Merkel do të mbërrijë në orën 13:50 në Aeroportin e Rinasit. Më pas do të drejtohet në Kryeministri ku do të pritet me ceremoninë në sheshin përpara Kryeministrisë dhe do të zhvillohen takimet kokë më kokë me Kryeministrin Rama dhe takimet mes dy delegacioneve. Rreth orës 15:30 pritet të mbahet konferenca e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Rama dhe Kancelares Merkel.
Më pas në orën 16:10 Kancelarja Merkel do të pritet nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani, ku do të ketë një takim të përbashkët.
Më pas nga ora 17:00 deri ën orën 18:00 Kancelarja Merkel do të vizitojë parkun e biznesit, ‘Tirana Business Park’ që është projekti më i madh privat gjerman në Shqipëri, një investim i kompanisë “Lindner Group” që arrin në vlerën 100 milionë euro. Në këtë aktivitet, ku do të marrin pjesë biznese të rnëdësishme nga të dy vendet, do të ketë një fjalë përshëndetëse të Kancelares Merkel dhe Kryeministrit Rama.
Sipas Drejtorit të Komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga, kjo vizitë e Kancelares Merkel duhet parë në dy plane si në planin politik edhe në atë ekonomik.
Vizita e Kancelares Merkel në Tiranë vjen pas ftesës që Kryeministri Rama i bëri gjatë vizitës së tij në Berlin vitin e shkuar ku ajo premtoi që do të vizitonte Tiranën. Ky takim do të shënojë takimin e tretë mes Kancelares Merkel dhe kryeministrit Rama, pas dy të parëve të mbajtur në Berlin vitin e shkuar.
Integrimi rajonal do të jetë një çështje kryesore në vizitën e Kancelares Merkel në Tiranë, ku edhe në kuadër të Konferencës së Berlinit, Gjermania, e cila vitet e fundit ka rikthyer vëmendjn nga Ballkani, e sheh Shqipërinë si një partner të rëndësishëm gjeo-politik në rajon.
Ndërsa në rrafshin ekonomik ky takim do të jetë një mundësi e mirë për t’i bërë një minibilac arritjeve të deritanishme dhe çuarjen më përpara të angazhimeve që u morën në Konferencën Rajonale të Berlinit gushtin e kaluar.
Duke pasur parasysh se në fund të muajit gusht do të zhvillohet edhe Forumi Ekonomik i Vjenës, që është vijimi i atij të mbajtur në Tiranë në muajin maj, diskutimet mbi situatën ekonomike do të kenë mjaft rëndësi.