Kryeministri Rama deklaroi sot gjate një takimi me pensionistë se rritja e pagave dhe e pensioneve nuk i zgjidh problemet me të cilat ndeshen qytetarët. Pavarësisht kësaj, sipas tij, situata nuk është më njësoj si ajo e disa viteve më parë dhe se ekonomia ka dhënë sinjale pozitive.
“Ne do t’i rrisim pensionet nga viti i ardhshëm, duke nisur nga 1 marsi. Por, sado përpjekje të bëjmë nuk është e mjaftueshme dhe mundësitë që kemi sot janë të kufizuara. Ka shumë njerëz këtu në këtë vend që kanë votuar për këtë qeveri dhe thonë se unë të votova, por asgjë s’po shoh. Nëse e shikojmë nga ky këndvështrim ka plot njerëz të mërzitur”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë ka bërë edhe krahasim me situatën e disa viteve më parë, duke deklaruar se qeveria e sotme hoqi nga buxheti për pagat dhe pensionet vetëm në një vit 100 mln dollarë, nga 124 mln të qeverisë së kaluar në 8 vjet.
“Ne po ulim borxhin dhe ndërkohë po japim edhe shpërblimin si dhe do te bejme rritje rrogash dhe pensionesh. Është hera e parë që një qeveri vendos 100 mln dollarë. Qeveria e kaluar në 8 vjet mori nga arka e vet dhe çoi në arkën e familjeve 124 mln dollarë. Ndërsa ne për një vit 100 milionë dollarë. Dhe nëse do të llogarisim edhe rrogat e punonjësve të policisë shkon në 140 milionë dollarë”, theksoi kryeministri.
Kryeministri e deklaroi të suksesshme skemën e re të pensioneve.