Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, nga foltorja e Kuvendit, ka paraqitur kërkesat e shoqërisë civile të cilët përmes peticionit kërkuan mbajtjen e një seance parlamentare për vdekjen e aktivistit Astrit Dehari.
Ai tha se në këtë seancë është dashur të diskutohet për shkarkimin e ministres së Drejtësisë dhe ministrit të Brendshëm, ashtu siç është kërkuar përmes peticionit të shoqërisë civile.
“Vrasësin e Deharit mund ta identifikojmë lehtë pasi që ai vdiq në një institucion shtetëror që menaxhohet nga Qeveria”, ka thënë Konjufca, raporton Koha.net.
“Ndonëse pajtohemi me një konstatim i cili po përfolet kohës së fundit se Deharin e vrau shteti, më duhet të them se Astritin e vrau pushteti dhe mungesa e shtetit”, shtoi ai, citohet Koha. (b.an)