Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi pret që javën e ardhshme të finalizohet marrëveshja mes katër udhëheqësve politik për zgjidhjen e krizës në Maqedoni.
Pas takimit që pati në Shkup me kongresmenin amerikan, Eliot Engel, Thaçi tha se në kuadër të dialogut për normalizimin e situatës do të bëhen përpjekje që deri në fund të vitit të gjenden një zgjidhje edhe për problemin e emrit, si një nga pengesat kryesore për bllokimin e procesit integrues të vendit, raporton Top Channel.
“Biseduam edhe për çështjen e krizës politike, por çështja kryesore që na tangon ne shqiptarëve, SHBA-të dhe NATO-n, është zhbllokimi i procesit integrues. Unë i dhashë përshtypjet e mia se në takimin që pata me ministrin e Jashtëm të Greqisë nuk kisha përshtypje se ai kishte pozicione shumë radikale dhe ramë dakord që ne do të provojmë edhe këtë çështje, në kuadër të bisedimeve për krizën politike ta rrumbullakojmë deri në fund të vitit”, tha Menduh Thaçi.
Sipas kreut të PDSH-së, në procesin e bisedimeve partia shqiptare në pushtet, BDI nuk është neutrale, por është vënë në shërbim në kryeministrit Gruevski.
“Gjëja që më së shumti më dëmton është relativizimi i partive shqiptare. Këtu ka një parti shqiptare që është pjesë e qeverisë. Ata arritën të kamuflohen deri para Brukselit se janë parti shqiptare, por tani definitivisht u pa se ata janë në prehrin e Gruevskit dhe kur ai nuk flet diçka, flet Ali Ahmeti”, u shpreh kryetari i PDSH-së.
Sa i përket kërkesave të partisë së tij në kuadër të dialogut politik, Thaçi, bëri të ditur se koordinatori i grupit parlamentar të PDSH-së, Ymer Aliu, ditën e premte ka ngritur në Kuvend kërkesën që buxhetit shtetëror të mund të miratohet vetëm nëse sigurohen edhe votat e shumicës së deputetëve shqiptarë.
Ai, tha se me kërkesë të partisë së tij, shumë shpejt do të vijë në rend dite edhe zyrtarizimi i plotë i gjuhës shqipe.