Pas protestës së disa militantëve të PD para selisë së bashkisë së Durrësit, ka ardhur dhe reagimi i kryebashkiakut të qytetit bregdetar Vangjush Dako. Ai ka akuzuar PD se po përpiqet të falsifikojë një histori që nuk ka lidhje me të, ndërkohë që u bën thirrje që të protestojnë para Kushtetuese për të nxjerrë sa më shpejt Vetting-un nga aty. Po citojmë të plotë postin e kryebashkiakut të Durrësit në rrjetin social:
E ndoqa me keqardhje përpjekjen e sotme të Shqupit për të vazhduar falsifikimin publik të një historie që s’ka asnjë lidhje me mua. Unë jam kryetar bashkie dhe bëj vetëm detyrën time, me ndershmëri e pasion politik për qytetin tim dhe këtë qytetarët e Durrësit e dinë aq mirë sa më kanë vlerësuar me votën e tyre në rritje tre herë rresht.
Detyrën për të dënuar apo liruar njerëzit nga burgu e kanë gjykatësit dhe Gjykatat e Shqipërisë. Këtë edhe trimat e Shqupit e dinë shumë mirë, por trimëria e tyre është vetëm për të sharë, shpifur dhe falsifikuar të vertetën, jo për të denoncuar gjykatësit e korruptuar që janë edhe aleatët me të zellshëm të Shqupit.
Në vend që të shkojnë të protestojnë tek Gjykata Kushtetuese për të nxjerrë pa humbur kohë vendimin për Vetingun, trimat e Shqupit vijnë si një çetë e shpartalluar përpara bashkisë për të hedhur baltë mbi mua. Por balta e tyre vetëm më nderon dhe më motivon më shumë në betejën tonë me ta. Ne jemi e ardhmja, ata janë vetëm e shkuara. Le të vazhdojnë se qershori po vjen dhe Durrësi do ta japë përsëri përgjigjen për kërkesën e tyre të papranueshme për t’u rikthyer në pushtet pasi rrënuan Shqipërinë.
ma.me