Komisioni Qendror i Zgjedhjeve(KQZ) me katër vota kundër dhe tre vota pro rrëzoi të premten kërkesën ankimore të Partisë Demokratike që kërkonte pavlefshmëri dhe përsëritje të zgjedhjeve në zonën zgjedhore nr.15, bashkia Kurbin.
Në përfundim të shqyrtimit të ankesës, anëtarët e KQZ-së u ndanë në qëndrimet e tyre, ku kryetarja Lefterije Luzi, votoi për rrëzimin e kërkesës, duke u shprehur në mbështetje të plotë të vendimarrjes së mëparshme të KQZ-së për KZAZ-në nr. 15 në Kurbin.
Partia Demokratike në ankesën e saj kundërshtonte zgjedhjet në këtë zonë zgjedhore, të cilat ajo pretendonte se ishin ‘të deformuara’ për shkak të vendimmarrjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të datës 20 qershor, nga ku u përjashtuan komisionerët e opozitës në këtë KZAZ.
Kjo sipas PD-së ndikoi tek zgjedhjet e 21 qershorit pasi ju hap rruga një procesi të pabalancuar, jotransparent dhe joligjor.
Koalicioni i djadhtë i drejtuar nga Partia Demokratike i bojkotoi zgjedhjet në Kurbin, pas vendimit të KQZ-së, e cila shkarkoi kryetarin e KZAZ-së 15 dhe tre anëtarët e tjerë të saj, përfaqësues nga PD dhe Partia Republikane. PD refuzoi të dërgojë përfaqësues të rinj në KZAZ dhe po ashtu refuzoi përfaqësimin dhe në qendrat e votimit. Ne keto kushe me një vendim të saj KQZ emëroi kryetar të KZAZ-së 15 një përfaqësues të shoqërisë civile.