Partia Demokratike e Kosovës ka arritur ta mbajë Drenasin, ndonëse për herë të parë në historinë e pasluftës së fundit në Kosovë në këtë komunë të Drenicës i është dashur të shkojë në dy runde të zgjedhjeve.
Vetëm pas balotazhit, me kandidatin Ramiz Lladrovci, ish ambasador në Tiranë PDK ka mundur të mposhtë Nismën për Kosovën që kishte për kandidat profesorin e ushtarakun e TMK-së, Isa Xhemajlajn.
Rezultati final preliminar është saktësisht 62.69 për qind për Lladrovcin e 37.31 për qind për Xhemajlajn. Diferenca me numër të votave është rreth 6 mijë sosh. E në Drenas kanë dalë në zgjedhje 23,861 qytetarë, ose 45.39 për qind e atyre që kanë pasur të drejtë vote.
Lladrovci, që ka shpallur fitoren pa e pritur numërimin deri në fund nga ana e KQZ-së, ka thënë se ky rezultat dëshmoi se Drenasi dhe Drenica mbesin bastion i PDK-së.
E pikërisht të kundërtën e kanë thënë nga Nisma për Kosovën. Ka qenë deputeti i kësaj partie, Enver Hoti, ai që e ka cilësuar fitore faktin që Drenasi më nuk është bastion i partisë së Kadri Veselit. Ai ka thënë fakti që Drenasi ka shkuar në balotazh e renditë në mesin e komunave ku mbizotëron demokracia.
Megjithatë, me parregullsi dhe shkelje ka nisur rundi i dytë i zgjedhjeve në Drenas. Prani e shtuar e policisë u pa në shumë prej qendrave të votimit. Por kjo nuk bëri që problemet të evitoheshin.
Në qendrën kryesore të votimit në Drenas, një automjet u pa me flamur të PDK-së, e cili u largua vetëm pasi KTV-ja raportoi për këtë shkelje. Qytetarët nuk po arrinin të gjenin emrin e tyre në listat votuese. Mospastrimi i listave zgjedhore po del të jetë njëri ndër problemet kryesore të këtyre zgjedhje.
Organizatat që monitoruan procesin zgjedhor në Drenas, evidentuan një sërë shkeljesh si: votimi familjar, presioni ndaj votuesve etj.
Akuzat të ndërsjella mes dy partive për shantazhe ndaj votuesve nisën vetëm disa orë pasi nisi procesi i votimit në Drenas.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Drenas po mbahen, pas dorëheqjes së kryetarit të kësaj komune, Nexhat Demaku, i cili u dënua me burgim për krime lufte. Qytetarët presin që gjendja në Drenas të përmirësohet pas këtij balotazhi, përgatiti Koha. (b.an)