Forcat e ushtrisë turke, në kuadër të ofensivës “Mburoja e Eufratit” kanë goditur 217 pozicione të Shtetit Islamik, mes të cilave ka pasur edhe depo armësh.
Sipas një njoftimi nga Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë turke, trupat kanë vazhduar aktivitetin e tyre në kuadër të ofensivës “Mburoja e Eufratit”, që nisi më 24 gusht. Në ditën e 117-të të kësaj ofensive janë goditur 160 pozicione të ISIS-it me anë të artilerisë së rëndë, ndërkohë 57 pozicione të tjera përmes avionëve të forcave të armatosura të Turqisë.
Gjatë konflikteve të armatosura është vënë re që militantët e organizatës terroriste fshihen në godinat publike si shkolla, spitale dhe xhami. Ushtria turke thekson se ka marrë të gjitha masat e nevojshme në mënyrë që civilët në zonat e konfliktit të mos preken. Avionë të ushtrisë turke kanë ndërmarrë një nismë për sensibilizimin e popullatës duke hedhur broshura nga ajri në të cilat i kërkohet popullatës të qëndrojë larg vendeve ku fshihen terroristët.