Projektligji për strehimin social do të kalojë brenda vitit për miratim në qeveri. Janë gjashtë programe strehimi ku shtresat në nevojë mund të bëhen pjesë për të përfituar. Fondi i vënë në dispozicion vetëm për vitin 2017 është parashikuar në vlerën 560 milionë lekë. Nga programet sociale përfitojnë rimbursim të interesave për kreditë e buta 4.300 familje në të gjithë vendin. Ndërkohë, pjesë e programit do të jetë edhe rikonstruksioni i ndërtimeve ekzistuese dhe ndërtimi i strehëve me kosto të ulët. Sipas Ministrisë së Zhvillimit Urban, strategjia e miratuar tashmë për strehimin së bashku me ligjin e ri do të shërbejnë si kuadër rregullues për këtë çështje.
PROGRAMI
Për vitin 2017 është parashikuar një fond prej 560 milionë lekësh për të garantuar kushte të përmirësuara jetese e një strehim të përballueshëm. Ministria parashikon: përmirësimin e kushteve të jetesës për 740 qytetarë të komunitetit rom dhe egjiptian; strehimin e të paktën 135 familjeve të pastreha nëpërmjet programit për rehabilitimin e godinave ekzistuese të dala jashtë funksionit në bashki të ndryshme të vendit; subvencionimin e interesave të kredive me interes 0 dhe 3% për rreth 4.300 familje, të cilat janë trajtuar me kredi me kosto të ulët që prej vitit 2009; mbulimin e qirasë në masën 50 deri në 100% të vlerës për 210 familje nëpërmjet instrumentit financiar të bonusit të strehimit; ofrimin e grantit të menjëhershëm për 20 familje, për shlyerjen e kredisë së përftuar të banesës me kosto të ulët nga personat me aftësi të kufizuar dhe jetimët në masën 5-10% të vlerës së banesës, si dhe pagesën e qirave të 174 familje që janë prekur nga zbatimi i projektit të rrugës transballkanike, në Vlorë dhe projektit të Unazës së Madhe, në Tiranë.
Ndër ndryshimet që parashikohen në projektligjin e strehimit social janë: dyfishimi i programeve të strehimit (ku përfshihet edhe programi i strehëve të përkohshme); dhënia e mundësive për të përfituar banesë sociale edhe familjet pa të ardhura apo me ndihmë ekonomike, nëpërmjet subvencionit, i cili do të jetë i kombinuar me fondet që MZHU planifikon me ato të bashkive; krijimi i pronarit social, si mundësi që subjektet private, duke hyrë në marrëdhënie me bashkinë, të japin me qira banesat e tyre; krijimi i fondit social (sigurimi i banesave si fond i përhershëm i bashkisë), rikonstruksioni i objekteve të dala jashtë funksionit të tyre fillestar dhe kthimi në fond banesash si dhe sigurimi i një strehimi të përshtatshëm për komunitetet vulnerabile. Programet e reja u japin mundësi bashkive të krijojnë fondin e strehimit për të dhënë banesa sociale me qira, si edhe të përshtatin kërkesat për strehim të qytetarëve, në një nga këto programe, mbështetur në kushtet ekonomike, sociale dhe familjare të tyre.
QIRATË
Rreth 13 milionë lekë do të jepen për pagesën e qirave të familjeve që preken nga zbatimi i disa projekteve, siç janë projekti i rrugës transballkanike, në Vlorë dhe projekti i Unazës së Madhe, në Tiranë, shpenzime që me Vendim të Këshillit të Ministrave duhen përballuar nga fondet e strehimit të parashikuara në buxhetet e çdo viti për MZHU-në. Përfituese do të jenë 174 familje.
FINANCIMET
Për vitin 2017 janë planifikuar 93 milionë lekë për përfundimin e fazës së parë dhe fillimin e fazës së dytë të këtij projekti. Qëllimi i projektit është krijimi i një qasjeje të re të integruar për zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit bregdetar jugor duke u mbështetur në potencialet që ofron ky rajon. Rezultati do të jetë hartimi i një plani të integruar veprimi për rritjen e potencialit turistik, evidentimin e modeleve të partneritetit publik- privat si dhe krijimin e një strategjie për planifikimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të territorit me fokus krijimin e modeleve të suksesshme të konservimit urban dhe zhvillimit të turizmit.
DOKUMENTACIONI QË DUHET PËR TË APLIKUAR PËR KREDI TË BUTË
1. Certifikata e lindjes e aplikantit dhe certifikata e gjendjes familjare.
2. Vërtetimi i vendbanimit në bashki.
3. Vërtetimi i të ardhurave neto dhe bruto (vërtetim punësimi), shoqëruar me vërtetimin nga Drejtoria Rajonale Tatimore për derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
4. Vërtetimi nga ZRPP se familja apo ndonjë anëtar i saj nuk disponojnë në pronësi banesë a ndonjë mjedis që mund të përdoret si e tillë.
5. Vërtetimi nga ZRPP të origjinës se nuk figuron e regjistruar asnjë pronë, e cila mund të përdoret edhe për strehim, për familjet që kanë ndryshuar vendbanim për efekt punësimi, për të gjithë anëtarët e familjes.
6. Dokumenti zyrtar i celebrimit dhe certifikatat personale, për efekt të llogaritjes së moshës, për çiftet e reja.
7. Dokumenti nga organet tatimore dhe ato të sigurimeve shoqërore për derdhjen e kontributeve, për të gjithë anëtarët e vetëpunësuar të familjes.
6 PROGRAMET E STREHIMIT
1. Programi i banesave sociale me qira;
2. Programi i banesave me kosto të ulët;
3. Programi i banesave ekzistuese ose i përmirësimit të kushteve deri në ndërtim të ri;
4. Programi për zhvillimin e zonës me qëllim strehimi;
5. Programi i strehëve të përkohshme;
6. Programi i banesave të specializuara.
BW/d.i.