Policia e Tiranës ka sqaruar këtë të diel arsyen e arrestimit të avokatit Genc Gjokutaj një natë më parë pranë ish-stadiumit “Qemal Stafa”.
Sipas policisë, 49-vjeçari duke drejtuar automjetin tip “Mercedes Benz”, nuk i është bindur sinjalit të Punonjësit të Policisë Rrugore, për të ndaluar.
Policia sqaron se shërbimet e policisë i janë vënë në ndjekje dhe pasi e kanë ndaluar i kanë kërkuar dokumentet e mjetit, por kanë hasur në rezistencën e tij.
“Genc Gj. nuk ka pranuar t’i japë dokumentet punonjësit të policisë por ka filluar t’i ofendojë ata.
Ndodhur në këto kushte punonjësit e policisë e kanë shoqëruar sëbashku me mjetin në ambientet e policisë për kryerjen e veprimeve të nevojshme procedurale.
Ky shtetas dyshohet se drejtonte mjetin nën ndikimin e alkoolit dhe i është marrë kampion gjaku pasi ka refuzuar të kryejë testin e alkoolit me aparatin drager”, thuhet në deklaratën e policisë.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së shkallës së parë Tiranë, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë̈ së rendit publik” dhe “Drejtimi i automjeteve në gjendje të dehur apo pa dëshmi”, parashikuar nga Nenet 242 dhe 291 të Kodit Penal.
shqiptarja.com/d.i.