Shkatërrimi i disa veprave të artit në parkun “Rinia” në Korçe gati një vit më parë ka dyshime të jetë kryer nga disa radikalistë, të cilët kanë dashur të imitojnë sulmet e ISIS.
Këto janë dyshimet e Prokurorisë pas arrestimit të 28-vjeçarit Petrika Çeço, që dyshohet se bashkë me persona të tjerë ka shkatërruar disa vepra arti në parkun “Rinia”, si edhe disa përkujtimore të ngritura përgjatë aksit Korçë-Bilisht-Miras. Emri i Petrika Çeços, që mbahet në regjistrat e policisë si radikalist, u rikthye në dosjet e Prokurorisë pas tentativës së tij për të vrarë të atin në kohën kur ai po kurohej në një spital.
“Tentova ta mbys tim atë pas konflikteve në familje për shkak të konvertimit tim nga besimtar ortodoks në besimtar mysliman”, ka rrëfyer 28-vjeçari, i cili do të hetohet për këtë ngjarje nga Krimet e Rënda.
“Desha ta vras, ka shtuar Çeço, pasi dyshoja se im atë informonte Shërbimet Sekrete në Shqipëri kundër meje”.
Prokurorët po verifikojnë të kaluarën e 28-vjeçarit, nga ku rezulton se Çeço gjatë kohës që ndodhej në Kanada me studime, ai është konvertuar në besimtar mysliman i rrymës selafite.
Duke qenë se nuk i ka ndjekur studimet rregullisht, ai është kthyer prej andej dhe më pas ka emigruar në Danimarkë prej nga ku është deportuar në Shqipëri në 8 dhjetor 2014. Prokurorët thonë se ky shtet rezulton t’i ketë ndaluar hyrjen për gjashtë vjet për shkak të implikimit të tij në një vjedhje.