Dëshmia e një kosovari e ka zhytyr keq Oliver Ivanoviçin, ish-liderin e serbëve të Kosovës. Dëshmia e Hysen Rrahmanit ishte vërtet tronditëse, madje edhe për vetë avokatët e të akuzuarve, Oliver Ivanoviç, Dragan Delibashiq, Ilija dhe Nebojsha Vujaçiq, si dhe Aleksandër Llazoviç, të cilët aktakuza i ngarkon për krime të luftës të kryera në rrugën e “Kovaçëve” në prillin e vitit 1999 dhe për vrasje të 10 shqiptarëve dhe për dëbimin e mbi 12 mijë shqiptarëve nga banesat dhe pronat e tyre në veri të Mitrovicës në shkurt të vitit 2000.
Në fakt, dëshmitari ka dëshmuar se si serbët kishin hedhur bomba në banesën e tij, ku ishte me familjen, dhe se aty kishte shkuar edhe i pandehuri kryesor, Oliver Ivanoviç, nja pesë minuta pasi prej aty ishin larguar pjesëtarët e KFOR-it, të cilët kishin qenë për të parë pasojat e asaj nate të tmerrshme. Fqinji im, Muhedin Prekazi, tha dëshmitari, e pyeti Oliverin: ‘Oliver pse na e bëtë këtë’, e ai është përgjigjur: ‘unë nuk e kam bërë këtë” dhe kishte shtuar: “ata që dëshirojnë të dalin në pjesën tjetër të Ibrit, unë ju garantoj se asnjë qime e flokut nuk do t’iu mungojë’”, ka rrëfyer Rrahmani.