Fondacioni “Konrad Adenauer”, i cili është i afërt me partinë CDU të kancelares Angela Merkel, shkruan në një raport se në vitin elektoral 2017 Shqipëria gjendet para një testi të rëndësishëm të pjekurisë politike.
Viti 2017 mund të jetë një vit i ndryshimeve potenciale në Shqipëri.
Në këtë përfundim ka arritur fondacioni “Konrad Adenauer”, i cili është i afërt me partinë CDU të kancelares Angela Merkel.
Në një raport fondacioni thekson se më 2017 Shqipëria do të zgjedh presidentin dhe një parlament të ri.
Pas këtyre zgjedhjeve Shqipëria mund të mbërthehet nga një krizë politike dhe institucionale, pasi në vitin 2017 Shqipëria gjendet para një testi të pjekurisë politike.
Fondacioni gjerman thekson se që tani ekzistojnë paqartësi nëse presidenti i zgjedhur do të jap betimin para kësaj legjislature apo para legjislaturës së re.
Mandati i presidentit të tanishëm Bujar Nishani përfundon më 24 korrik 2017.
“Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare më 2017 janë problematike për shkak të afatit të ngushtë kohor, brenda të cilit duhet të mbahen dhe afateve të caktuara kushtetuese”, thotë fondacioni gjerman.
Sipas Fondacionit “Konrad Adenauer”, zgjedhjet e vitit 2017 janë relevante edhe sa i përket politikës së jashtme, ngase zbatimi i reformës zgjedhore dhe organizimi i zgjedhjeve sipas standardeve të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) janë parakusht për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.
Tema/d.i.