Avokati i Popullit Igli Totozani i bën thirrje institucioneve shtetërore që të konsiderojnë burgimin e të miturve si masë të fundit. Ai ka prezantuar raportin “Me zërin e të miturve të privuar nga liria”, një monitorim i kushteve dhe trajtimit të tyre në institucionet e ndalimit, paraburgimit dhe burgimit.
“I bëj thirrje të gjithë institucioneve shtetërore, por jo vetëm atyre, të ndërmarrin të gjitha përpjekjet e nevojshme për të përmirësuar jetën e të miturve në konflikt me ligjin. Sipas standardeve ndërkombëtare burgu duhet të përdoret vetëm si masa e fundit dhe për periudhën më të shkurtër kohore”, tha Totozani.
Ky raport përfshin gjetjet dhe rekomandimet e monitorimeve të kryera përgjatë periudhës Gusht – Dhjetor 2016 në Komisariatet e Policisë së Tiranës, Institutit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale për të Mitur në Kavajë dhe në Shën Kollë.
Nga 21 të mitur të intervistuar vetëm 7 prej tyre kishin përfunduar arsimin e detyruar, dhe gjysma e tyre kishin shprehur dëshirën për arsimim brenda ambienteve të burgimit. Nëntë prej tyre pohuan se ishin lënduar, 4 prej të cilëve në komisariat, dhe vetëm një rast abuzimi është raportuar, shkruan shqip. Keqtrajtimi ishte i dukshëm gjatë vizitave monitoruese në ambientin e Shën Kollit./a.k