Mbikqyrja “online” e industrisë së kumarit do të kryhet nga një kompani private.
Pas vendimit të Këshillit të Ministrave në shtator, që i hapi rrugën këtij procesi, Ministria e Financave ka shpallur publikisht tenderin për ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e sistemit qendror të monitorimit “online” për industrinë e lojrave të fatit.
Sipas njoftimit, data përfundimatare e dorëzimit të ofertave do të jetë 12 janari i vitit të ardhshëm, ndërsa afati i kontratës është 30 vjet. Më parë, qeveria ka përcaktuar edhe kriteret për kompanitë që lejohet të marrin pjesë në tender.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, shoqëritë që kërkojnë të marrin këtë shërbim duhet të plotësojnë disa kushte, si të mos jenë në proces falimentimi dhe ndaj kapitaleve të tyre të mos ketë proces ekzekutimi përmbarimor. Paralalisht, administratori i kompanisë fituese duhet të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykatat dhe nuk duhet të ketë detyrime tatimore të pashlyera
Në njoftim, Ministria e Financave ka bërë publike edhe kriteret se si do të zgjidhet kompania fituese, raporton tch. Sipas tyre, 30 për qind e pikëve do të varen nga kriteret profesionale, 40 për qind nga kriteret teknike dhe 30 për qind të tjera lidhen me ofertën financiare.
Qeveria thotë se përmes kalimit tek privati të këtij shërbimi, ajo synon të realizojë një kontroll më të fortë të qarkullimit të parave në industrinë e bixhozit me qëllim vjeljen e taksave dhe shmangien e evazionit fiskal./a.k