Gjykatësi i emëruar nga Sali Berisha në qershor 2011: “21 Janari vrasje pa dashje”. “Gërdeci gabim teknologjik”. “Guvernatori s’ka përgjegjësi për vjedhjen e vartësve”. “Lul Berisha, gjykim i gabuar”
Gjykatësi Shkëlzen Selimi, i cili në vitin 2014 ishte në trupën gjykuese që vendosi rrëzimin e dënimit me burgim të përjetshëm për Lul Berishën, ka qenë më parë protagonist i disa prej vendimeve më të diskutueshme të marra në historinë e gjyqësorit shqiptar. i njëjti gjyqtar ka qenë në trupat që mbyllën gjyqet e Gërdecit, 21 janarit dhe që shpallën të pafajshëm ish-guvernatorin Adrian Fullani.
Lexo.al i është rikthyer verdikteve të gjykatës, për të analizuar logjikën e sëmurë të përdorur nga ky gjyqtar.
21 Janari, Gjykata: “Vrasjet pa dashje”
Në çështjen “Gërdeci”, kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme u refuzua nga Gjykata e Lartë, duke mos iu pranuar rekursi për dënimin e ish-komandantit të Gardës, Ndrea Prendit, me 23 vite burg dhe dënimin me 25 vite burg për oficerin Agim Llupo.
Gjykata e Apelit, citohet në vendim, çmoi se “i pandehuri Agim Llupo kishte detyrimin objektiv dhe mundësinë subjektive për të parashikuar se, mënyra se si po qëllonin me armë zjarri në ajër, me fishekë luftarakë, mund të sillte pasojat që erdhën në fakt”. Por, sipas vendimit të Kolegjit Penal, nëse kjo do të ishte e vërtetë, atëherë për të gjithë efektivat e Gardës së Republikës që kryenin shërbimin në datë 21 janar në territorin e Kryeministrisë dhe që është provuar se kanë qëlluar në ajër, do të duhej të ngrihej akuza e “Vrasjes nga pakujdesia” e mbetur në tentativë, duke e ngritur këtë akuzë, aq herë sa ishte numri i protestuesve në bulevard !”
Gërdeci, “gabim teknologjik”
Edhe çështja e “Gërdecit” u mbyll, duke thënë që ishte një gabim teknologjik. Asgjë më shumë. Asnjë fajtor konkret. As nga opozita e tanishme, as nga mazhoranca.
Duke shpallur vendimin e “gabimi teknologjik”, gjykata, pjesë e trupit të së cilës ishte edhe gjykatësi Selimi, rrëzoi përfundimisht mundësinë për të
Guvernatori nuk është përgjegjës për vjedhjen e kryer nga vartësit
Pas tre seancave në Gjykatën Penale të Tiranës, ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë Adrian Fullani fitoi pafajësinë. Ai u akuzua nga Prokuroria e Tiranës për shpërdorim detyre ne lidhje me tenderin 30 milion euro të blerjes së hotel Dajtit dhe vjedhjen e 713 milion lekëve nga thesari i Bankës së Shqipërisë.
….
Në seancën e pretencës në Gjykatën e Tiranës, organi i akuzës argumentoi se Fullani nuk ka zbatuar vendimet e Këshillit Mbikëqyrës, duke i lënë terren të hapur vjedhjes së parave nga thesari i shtetit, vepër për të cilën është dënuar Ardian Bitraj, – ish-përgjegjësi i arkës stok dhe kolegia e tij Mimoza Bruzia.
Ndërkohë në lidhje me akuzën e dytë që rëndon ndaj Fullanit, Prokuroria e Tiranës tha se tenderi për blerjen e Hotel Dajtit 30 milionë euro, ishte formal, pasi u bë pasi hoteli ishte blerë. Prokuroria kërkoi 5 vite burg për ish-kreun e Bankës së Shqipërisë, por ky dënim u ul me 1/3 pasi Ardian Fullani ka kërkuar gjykim të shkurtuar.
Megjithatë, kanë mjaftuar vetëm tre seanca për të mbyllur gjykimin në shkallën e Parë kundër Fullanit. Ish-kreu i BSH-së nuk ka qenë i pranishëm në asnjë nga tre seancat, në seancën e parë u pranua gjykimi i shkurtuar, seanca e dytë u shty për shkak të mungesës së prokurorit dhe e treta vulosi vendimin e pafajësisë ndaj tij. Logjika e përdorur në pafajësinë e ish-guvernatorit është se ai nuk mund të ishte përgjegjës për vjedhjen e kryer nga vartësit e tij.
Lul Berisha, burgimi i përjetshëm, “dënim i pafavorshëm”
Në vendimin e plotë të Gjykatës së Lartë, i përbërë nga 448 faqe në total, Kolegji Penal arsyeton se Shkalla e Parë dhe Apeli për Krimet e Rënda ka gabuar duke zbatuar në mënyrë të padrejtë ligjin penal të kohës kur kanë ndodhur tri episode kriminale, në të cilat Lulëzim Berisha akuzohej të kishte konsumuar akuzën e “vrasjes me paramendim”.
Sipas Gjykatës, duke iu referuar ligjit të kohës, si ligji më i favorshëm për të gjykuarin Lulzim Berisha, duke iu referuar rrethanave të faktit, provave dhe akuzave që janë ngritur ndaj tij, ekzistonte vetëm një rrethanë rënduese.
“Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, në ndryshim nga gjykatat e faktit, vlerëson se, në periudhën e kryerjes së veprave penale nga i gjykuari Lulzim Berisha, tetor 1998 – gusht 1999, ka ekzistuar vetëm një rrethanë rënduese, që është ajo e parashikuar nga germa ‘gj’ e nenit 50 të Kodit Penal të kohës së kryerjes së veprave penale dhe që është ‘kryerja e veprës penale në bashkëpunim’”, arsyetonte Gjykata e Lartë.
Më tej, Gjykata shprehej që duke qenë se i gjykuari Lulzim Berisha është akuzuar nga Prokuroria për kryerjen e veprave penale, vetëm në prani të rrethanës rënduese të bashkëpunimit, gjykatat nuk mund të dilnin në një konkluzion tjetër.
Përfundimisht, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë konkludonte se për të pandehurin Lulzim Berisha duhet të zbatohej ligji përkatës i kohës, para ndryshimeve të pësuara në vitin 2001, ku “vrasja e kryer me paramendim dënohej me burgim nga pesëmbëdhjetë deri në njëzetepesë vjet burg”.
“Përfundimisht, pas ndryshimit të pjesshëm të vendimit të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve, dënimin e të gjykuarit Lulëzim Berisha me 25 vjet burgim”, thuhej në dispozitivin e vendimit në lidhje me të akuzuarin Berisha./Lexo.al/a.m.