Deputeti i PDIU-së, Omer Mamo u është përgjigjur akuzave të fundit të Greqisë dhe të ministritë të tyre të mbrojtjes, Kamenos përmes një fjale në seancën plenare të ditës së sotme.
Ai tregoi një foto, ku dukej një shtëpi e madhe, vjetër dhe e braktisur, për të cilën tha se është shtëpia e familjes së tij në Çamëri.
Mamo tha se injoranca historike e zyrtarëve të Athinës nuk do të mund ta zhbëjë historinë e popullit çam dhe të të drejtave të tyre.
“Kam dëgjuar se si një ministër mbrojtje, i një vendi aleat në NATO të vishet ushtarak dhe të veprojë si një gjeneral junte, me mungesë diplomacie dhe injorancë të thellë historike. Ky zotëria që kërcet dhëmbët në kufij, e kam fjalën për ministrin grek Kamenos, na thotë se çamët janë humbës se sepse u bënë aleat me nazistët. Injoranca nuk është argument z. Kamenos! Injoranca nuk është argument edhe për ty znj. Theocharous! Injoranca juaj historike nuk mund të jetë e vërteta historike. Ajo e vërtet edhe në këtu në këtë sallë të këtij kuvendit, ku manipulohet dhe shtrembërohet nga disa shqiptar gjakprishur që e quajnë veten grek. E vërteta historike Dule është tek kjo shtëpi. Kjo shtëpi që ndodhet në Çamëri, është ende në këmbë e madhe, e bukur dhe e fortë. Është shtëpia e gjyshit tim. Kjo shtëpi dhe shumë të tjera si këto ishin ato që për dekada të tëra kanë bashkëjetuar me shumë familje greke, shqiptar ortodoks apo edhe me vlleh. Nga kjo shtëpi ku kanë rrënjët Mamo-t, ka dalë edhe babai im i cili nuk ka qenë për asnjë sekondë bashkëpunëtor i nazistëve, përkundrazi, ka qene pjese e forcave partizane që luftuan kundër nazizmit,, jo vetëm në Çamëri por edhe në Shqipëri. Im at luftoi kundra nazistëve dhe për një vit familja e tij e dinte të vrarë në luftë”,-tha Mamo.
Sipas tij, kjo është historia e vërtetë që duhet ta mësojnë të gjithë për gjenocidin ndaj shqiptarëve të krahinës së Çamërisë. Mamo tha se për herë të parë gjatë këtyre 26 viteve, ajo që po e trajton me shumë seriozitet këtë çështje madhore është qeveria e drejtuar nga Rama.
Gjatë fjalës së tij, deputeti i PDIU-së foli edhe për nismën më të rëndësishme të tij në këtë sesion parlamentar, statusi i naftëtarit. Ligji do të kalohet javën e ardhshme në Komisionet Parlamentare.
“Pjesë e këtij buxhetin është bërë edhe nisma që edhe unë si ish-naftëtar kamë ndërmarrë për të futur në rrugën e duhur statusin e naftëtarëve. Me mbështetjen e kryeministrit Rama, dhe ministrave përkatës, naftëtarët më në fund do të kenë statusin e tyre. Pas 25 vitesh mundëm t’i japim jetë zgjidhjes së një padrejtësie të madhe që i është bërë më shumë se 5 mijë naftëtarëve. Ditën që do të votohet statusi i naftëtarëve, jam i bindur se të gjitha forcat politikë do të jenë pro kësaj nisme e cila është në të mirë të të gjithë naftëtarëve. Pas miratimit të shpejtë në Kuvend, naftëtarët do të përfitojnë trajtim financiar më të mirë, ulje të moshës së pensionit për shkak të punës së rëndë që kanë bërë si dhe trajtim mjekësor. Statusi përcakton të gjithë të drejtat që i takojnë naftëtarëve që janë në marrëdhënie pune me ndërmarrjet shtetërore dhe ato koncesion-arët si dhe naftëtarëve në pension. Gratë do të dalin në pension në moshën 55 vjeç, ndërsa burrat në moshën 60 vjeç. Fatura e zgjidhjes së kësaj padrejtësie në vëllimin total të buxhetit të shtetit është tepër e vogël, por është jetësore për mijëra naftëtarë që mezi e presin ketë ditë”,-tha Mamo./reportv/a.k
(Omer Mamo)