Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka në plan të njoftojë muajin e ardhshëm se do ta kalojë kontrollin e bizneseve të tij në duart e fëmijëve dhe drejtuesve ekzekutivë, për të eliminuar çdo konflikt të mundshëm interesi.
Por siç kujton Zëri i Amerikës, pas betimit të presidentit në 20 janar, departamenti i tij i Drejtësisë do të vazhdojë të ballafaqohet me problemet e borxhit masiv të Deutsche Bank, kreditorja më e madhe e bizneseve të manjatit të pasurive të paluajtshme.
Ky rast dëshmon sa e vështirë do të jetë që presidenti i ardhshëm të izolojë plotësisht administratën e tij nga konflikti i interesit. Për dekada me radhë Deutsche Bank si institucion financiar ka shërbyer si kredi-dhënëse e besueshme për operacionet e biznesit të Trump në tregun e imobiliareve, duke i ofruar kredi edhe kur banka të mëdha në Shtetet e Bashkuara rezervoheshin.
Kohët e fundit, miliarderi kërkoi kredi nga Deutsche Bank për të financuar rinovimet në ndërtesën historike të Zyrave Postare në Uashington për ta shndërruar atë në një hotel luksoz nën emrin “Trump”.
Në dokumentet e fundit financiare që paraqiten në kuadër të aplikimit për kredi, Trump rendit katër kredi të marra nga Deutsche Bank që nga viti 2012 që arrijnë shumën totale të 364 milionë dollarëve.
Situata e Deutsche Bank përfaqëson një tjetër dilemë: një partner i vjetër biznesi që ballafaqohet me kërcënimin e sanksioneve të rënda ligjore nga Departamenti i Drejtësisë. Ky i fundit po negocion një ndëshkim prej 14 miliardë dollarësh, lidhur me shitjen nga ana e Deutsche Bank-ut të kredive të rrezikshme në tregun imobiliar gjatë krizës së vitit 2008.
Gjithashtu, banka është vënë në shënjestër për rolin e saj në mundësimin e lëvizjes së miliarda dollarëve nga investitorët rusë duke përdorur transaksione të sajuara të njohura si “shkëmbime pasqyrë”.
Sipas analistëve, rasti përfaqëson 2 konflikte themelore. Së pari, ia vështirëson punën departamentit të Drejtësisë për të negociuar në mënyrë objektive ndëshkimet dhe e ve presidentin e ardhshëm në pozitë të vështirë si autoriteti më i lartë i zbatimit të ligjit.
ma.me