Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka zhvilluar sot një takim me drejtues të PD dhe anëtarë të këshillit bashkiak të Durrësit për çështjen, Lulzim Berisha. Në përfundim të këtij takimi në një prononcim për mediat Basha i ka kërkuar kryeministrit Rama që të shkarkojë kryetarin e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.
“Lirohet nga burgu një kriminel që ka vrarë dhe terrorizuar qytetarët e Durrësit. Dako ka zgjedhur me vetëdije të bëhet njësh me krimin, dhe kundër qytetarëve. Këshilltarët demokratë në Bashkinë e Durrësit, kanë vendosur t’i kërkojnë kryeministrit Rama shkarkimin e menjëhershëm të Dakos në përputhje me ligjin. Po kështu i kërkojmë kryeprokurorit të nisë hetimet Dakon. Shoqëritë ku politikën e dominon krimi, janë shoqëritë ku nuk ofrohet zgjidhje, dhe qytetarët i drejtohen emigracionit”, tha Basha.
Kreu i opozitës akuzoi kryeministrin Rama se ka përdorur krimin për të marrë pushtetin, dhe sipas tij “tani krimi po e përdor atë”.
“Përditë dhe më shumë po bëhet e qartë se Rama ka humbur çdo lloj kontrolli mbi institucionet dhe pushtetin e ligjshëm. Rama i përdori kriminelët për të marrë pushtetin politikën, dhe tani kriminelët po e përdorin atë për të fuqizuar pushtetin e krimit. Të dy bashkë janë në simbiozë për të grabitur sa më shumë para. Zgjedhjet e ardhshme do tregojnë se kë përfaqëson Edi Rama.
Duhet t’i bëjmë presion Ramës, për të marrë përgjegjësitë e vendit ku është ulur për të luftuar krimin. Krimi vret njësoj si demokratët edhe socialistët. I bëj thirrje ndërkombëtarëve që të reagojnë, dhe të detyrojnë qeverinë të marrë drejtimin e menjëhershëm kundër krimit të organizuar dhe të ndërmarrë menjëherë zbatimin e dekriminalizimit. Krimi sot është rrezik për të gjithë”, deklaroi Basha.
Takimi i zhvilluar në selinë e PD në qytetin bregdetar, vjen një ditë pas publikimit të investigimit të BIRN, që tregon se Lulzim Berisha u lirua nga burgu me ndërhyrjen e Bashkisë së Durrësit. Sipas këtij vendimi, vetë kryebashkiaku Vangjush Dako kishte dërguar një letër garanci për punësim.
Vendimi për lirimin e Lul Berishës solli reagime të ambasadorit amerikan, Donald Lu, i cili tha se lirimi Berishës ishte i papranueshëm dhe duhet të na indinjojë. Kambanë alarmi e cilësoi nga ana tjetër edhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
ma.me