Thesare të çmuara artistike e historike nga Deti i Zi, që i ishin huazuar muzeut të Amsterdamit pak pasi që Rusia aneksoi Gadishullin e Krimesë, duhet të kthehen në Ukrainë. Ky është vendimi që ka nxjerrë gjykata holandezë të mërkurën.
Çështja rreth pronësisë së artefakteve arkeologjike ishte hapur nga katër muze të Krimesë me ndihmën e Moskës në nëntor të vitit 2014. Vendimi ka zemëruar Kremlinin dhe ish-paditësit.
“Objektet e muzeut duhet të kthehen në Krime, aty ku ishin gjetur për katër dekada dhe aty ku ishin ruajtur dhe studiuar nga arkeologët dhe shkencëtarët”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Kulturës të Rusisë. “Gjykata ka injoruar faktin se gjetjet arkeologjike duhet të ruhen në vendin me historinë e kulturën e të cilit kanë lidhje”.
Tatyana Umrikhina, kryesuesja e “Eastern Crimean Historical and Culture Museum Preserve”, i cili ishte një nga muzetë që ngriti këtë çështje, është betuar se do të sfidojë vendimin.
“Kemi tre muaj të përgatisim apelin dhe natyrisht se do ta përdorim këtë mundësi”, ka thënë ajo.
Por Elena Gagarina, drejtoreshë e Muzeut të Kremlinit në Moskë, ka thënë se e kupton vendimin e gjykatës. “Në këtë rast ku objektet janë marrë nga territori i Ukrainës dhe i takonin Ukrainës si shtet, vendimi për mua është shumë i arsyeshëm”, ka thënë Gagarina.
Objektet e çmuara, duke përfshirë helmetën 2 mijë e 400-vjeçare, kutitë unike të Dinastisë së Hanit, broshët delikatë dhe byzylykë të arit, i ishin huazuar “Allard Pierson Museum”, një qendër e vogël arkeologjike në Amsterdam për ekspozim në vitin 2014 në ekspozitën “The Crimea: Gold and Secrets from the Black Sea”.
Artefaktet që nga ajo kohë kanë mbetur të ngujuara në Holandë. Kur Rusia aneksoni Krimenë një muaj më pas, në mars të vitit 2014, pronësia e artefakteve të çmuara u bë e paqartë, duke kthyer thesaret e Detit të Zi në pengje të politikës. Aneksimi i territorit nga Rusia ende nuk është njohur nga shumica e komunitetit ndërkombëtar.
Gjykatësit holandezë kanë marrë vendim se “objektet duhet të shkojnë në Ukrainë, në shtetin e origjinës dhe trashëgimisë së shtetit”, siç është raportuar nga mediat holandeze.
Megjithatë, gjykatësit nuk vendosën se kujt i takon e drejta e pronësisë së këtij koleksioni: “Pyetja e pronës duhet të trajtohet kur ato të kthehen në shtetin përkatës dhe në pajtim me ligjin e shtetit në fjalë”, ka thënë gjykatësi Mieke Dudok van Heel.
Holanda do të vazhdojë të mbajë thesarin në një lokacion sekret për tre muajt e ardhshëm, për shkak të apelit nga Rusia dhe katër muzeve nga Krimeja.
Ministrja e Kulturës e Krimesë, Arina Novoselskata, ka reaguar ndaj këtij vendimi duke thënë se “Krimeja do të apelojë që të mbrojë të drejtat e saj dhe ta kthejë koleksionin”. Ukraina është detyruar që të paguajë për çmimin e ruajtjes dhe të sigurimit të thesarit një faturë që peshon 300 mijë euro. Në anën tjetër ekspertët thonë se kjo çështje mund të zgjasë deri në pesë vjet, përgatiti Koha. (b.an)