Shërbimi Informativ i është bashkuar aksionit të fundit të Policisë dhe Prokurorisë për arrestimin e Klement Balilit, pas shpalljes së tij në kërkim tashmë edhe nga drejtësia shqiptare. Mësohet se agjentë të SHISH-it kanë marrë detyra konkrete për të verifikuar në terren disa zona ku mendohet se qëndron i kërkuari.
Nga ana tjetër, epiqendra e vëzhgimeve të SHISH-it mësohet se është në Tiranë, ku besohet se po fshihet Klement Balili, 44 vjeç, ish-drejtor i Transportit në Sarandë. Ndërkohë që biznesmeni ende nuk është kapur, pas debateve të fundit në lidhje me mosarrestimin e tij, gazeta “Panorama” pyeti dje në Prokurorinë e Përgjithshme në lidhje me procedurën e ndjekur dhe rrugën ligjore që duhej të ishte ndjekur.
Burime jozyrtare të Prokurorisë thanë se “kur një urdhër arresti ndërkombëtar për shtetas shqiptarë lëshohet nga një vend, me të cilin Shqipëria nuk ka marrëveshje ekstradimi, siç është në këtë rast Greqia, fillimisht Interpol Tirana vihet në dijeni për urdhërarrestin ndërkombëtar. Më pas, Interpol Tirana njofton Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorinë e Përgjithshme. Njëherësh, Interpol Tirana ua përcjell urdhërarrestin policive lokale, ku mendohet se mund të jetë personi i kërkuar”.
LOKALIZIMI
Sipas shpjegimit jozyrtar që jep i njëjti burim në prokurori, Policia lokale, pasi e lokalizon të kërkuarin, njofton menjëherë Prokurorinë e Përgjithshme, e cila njofton Ministrinë e Drejtësisë që të lidhet me autoritetet gjyqësore të vendit kërkues (Greqia).
“Këto të fundit, nëse vijojnë të kenë interes për arrestimin e personit në kërkim, ia bëjnë me dije këtë situatë Ministrisë së Drejtësisë, e cila njofton Prokurorinë e Përgjithshme.
Pas marrjes se këtij njoftimi, Prokuroria kërkon nga Policia arrestimin e personit, ndërsa kjo procedurë zhvillohet kur personi në kërkim është lokalizuar nga policia”, bënë me dije burimet jozyrtare të Prokurorisë.
Sipas tyre, në rastin konkret për shtetasin Klement Balili, Prokuroria nuk është njoftuar për lokalizimin e shtetasit Klement Balili.
Më herët, gazeta “Panorama” ka publikuar se i vetmi informacion “i brendshëm” që ka qarkulluar në strukturat e Policisë ka qenë në gusht 2016, kur është përshkruar në një informacion policor se “Klement Balili dyshohet se qëndron në aksin Sarandë-Tiranë”.
HETIMI NDAJ BALILIT
Prokuroria ka thënë më herët se ka regjistruar procedim penal ndaj Balilit në shkurt 2016, për “trafik lëndësh narkotike”.
Deri në kohën që u publikuan të dhëna për aktivitetin e dyshuar të tij në Greqi, Prokuroria nuk kishte siguruar prova ndaj tij, për llogari të hetimit të nisur pak kohë më parë.
“Pasi u vu në dijeni për hetimet në Greqi, Prokuroria për Krime të Rënda, nëpërmjet letër-porosisë, kërkoi ndihmë juridike, për llogari te procedimit penal të nisur më parë në Shqipëri. Pak ditë më parë, në Prokurorinë për Krime të Rënda mbërriti materiali i përkthyer. Në bazë të këtij materiali nga autoritetet greke, Prokuroria për Krime të Rënda, për llogari të hetimit të saj, kërkoi caktimin e masës së sigurisë ‘arrest me burg’, e cila u pranua nga gjykata”, bënë me dije burimet jozyrtare të Akuzës.
MA.ME