Shkak për konfliktin u bë ndërhyrja nga deputeti i PS-së për pyetjet që po bënte kolegu Dogjani. Deputeti i PD-së kërkoi informacion për një targë të automjeteve të shërbimeve operacionale, që sipas PD-së ka hyrë në burgjet e Shqipërisë dhe është paguar afër ambasadave të vendit për të kryer përgjime të jashtëligjshme.
Por Pjerin Ndreu e ka quajtur si kulmin e injorancës të pyesë për automjetet e shërbimeve operacionale të Policisë. Pas kësaj, Dogjani e ka quajtur Ndreun si burgaxhi dhe polic, ndërkohë që deputeti i PS-së e ka quajtur injorant.
Tonet e acaruara bënë që deputeti maxhorancës të largohet nga mbledhja, duke përplasur karrigen. Gjatë seancës së djeshme ishin thirrur si dëshmitarë për ngjarjen e përgjime zv.drejtori i Përgjithshëm, Ardian Çipa, drejtori i Hetimit të Krimit të Organizuar, Artion Duga, dhe shefi i sektorit të Forcave Operacionale, Eduard Goga. Asnjëri prej të pranishmëve nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve, duke thënë se çështja është në hetim nga Prokuroria.
Sherri mes Dogjanit dhe Ndreut
Asllan Dogjani: Si i keni siguruar këto pajisje? I keni nga partnerët? Mund të na vini në dispozicion çfarë numrash targe përdorni…
Pjerin Ndreu: Ça thua mo, ça thua…
Asllan Dogjani: Pyetjet i bëj unë dhe ti mos ndërhyj. S’je këtu për të më ndërhyrë mua. More vesh!
Pjerin Ndreu: Për procedurë…
Asllan Dogjani: Çfarë procedurë, ti mos më ndërhyj mu… Ai përgjigjet, s’je polic më ti.
Pjerin Ndreu: Drejtoje mirë mbledhjen. Ça targash kërkon ti?
Asllan Dogjani: Ai përgjigjet vetë, ka mundësi të mos më ndërhysh mua? Mos e përsërit më!
Pjerin Ndreu: Ça janë këto pyetje, bëj pyetje tamam.
Asllan Dogjani: Ore ti, kush je të më tregosh mua si të bëj pyetjet?! Kujton se je akoma polic, s’je polic më…
Pjerin Ndreu: Ik ore andej të thashë!…
Asllan Dogjani: Këtu kanë ngelur policë akoma disa…
Pjerin Ndreu: Pse, je ti polic tamam?…
Asllan Dogjani: Unë polic kam qenë, por në burg s’kam qenë.
Pjerin Ndreu: Lenë mer ma ti, më tregon mu burgun.
Asllan Dogjani: I arrestuar dhe i hetuar për krime të rënda s’kam qenë.
Pjerin Ndreu: Ke gojë ti? Po mos fol!
Asllan Dogjani: Nga punonjësi Ertiol Xhelili, me një targë AA380MD. Dua të di çfarë targash përdor njësia juaj dhe se kjo targë e këtij automjeti është e njësisë tuaj. Keni dijeni që me këtë automjet punonjësi Ertiol Xhelili është futur në Burgun e Peqinit, Burgun e Fierit, pranë ambasadave, kemi të dhëna pranë Kryeministrisë.
Nga Drejtoria e Burgjeve na është thënë që kjo makinë është futur në burg për të matur cilësinë dhe lagështinë e ajrit.
Pjerin Ndreu: Të kërkosh targat e njësisë operacionale është kulmi i injorancës. Unë refuzoj të vazhdoj mbledhjen në një injorancë të tillë sepse është turp.
(Çohet, rrëzon karrigen dhe largohet nga mbledhja)
Asllan Dogjani: Kulmin e injorancës e tregoni ju me këtë qëndrim.
Flamur Noka: Kjo nuk është normale, këtu po bëhen skenarë për të prishur mbledhjen.
Pjerin Ndreu: Refuzoj të rri në një mbledhje të tillë pa ju kërkuar falje.
Asllan Dogjani: Unë s’kam asnjë personale me askënd. Por është një çështje që duhet zbardhur, sepse qytetarët duhet të dinë si është përgjuar me këtë pajisje pa ligj. Kolegëve të mi s’u ka dalë inati, por ka këtu disa që injorancën e matin me injorancën e tyre. Akoma u ka ngel meraku që janë deputetë, por kanë qenë në burg dhe kanë qenë të hetuar për krime të rënda.
Eduard Goga: Kemi bërë trajnime të vazhdueshme IMSI CATCHER. Ne kemi detyrim ligjor që, kur ngremë impiantet apo punë operacionale, të njoftojmë Prokurorinë. Lidhur me trajnimet, s’e kemi pasur detyrim ligjor.
ma.me