Shtatë bashki kanë fituar çmime për praktika të mira në qeverisjen vendore në kuadrin e nxitjes që Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore dhe Ambasada e Zvicrës i japin bashkive të reja pas Strategjisë së Decentralizimit dhe Reformës Administrative Territoriale. Bashkitë fituese u shpallën në një ceremoni të veçantë të mbajtur në Hotel Sheraton në Tiranë. Katër çmime prej nga 10,000 franga zvicerane ju dhanë bashkive Roskovec, Vau i Dejës, Tiranë e Lezhë për nisma të vlerësuara në nivel kombëtar. Ndërsa katër çmime prej 5,000 franga zvicerane u fituan nga bashkitë Shkodër, Tiranë, Skrapar dhe Fier të përzgjedhura si praktikat më të mira në nivel rajonal. Praktikat fituese përfshinin shërbime të përmirësuara turizmi, zyra me një ndalesë (Z1N), qendra për qytetarë me aftësi të kufizuara, si dhe informim e komunikim për qytetarët.
“Me pjesëmarrjen tuaj në këtë konkurs ju keni treguar zell dhe vullnet për të paraqitur shembuj nga puna dhe përpjekjet tuaja”, u tha Ambasadori zviceran Christoph Graf kryebashkiakëve dhe stafeve të bashkive përmes një mesazhi në video. Ai përgëzoi Ministrin Çuçi për punën me reformën dhe veçanërisht për gatishmërinë që të monitorojë proçesin përmes palëve të jashtme. “Vashdoni të përmirësoni qeverisjen vendore – është shtylla kurrizore e demokracisë”, përfundoi mesazhin e tij Ambasadori Graf.
Në fjalën e tij Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi nënvizoi se “Në 10 mujorin e parë të 2016, bashkitë kanë mbledhur 30 milionë dollarë më shumë taksa lokale se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Këtu duhet të kemi parasysh që bizneset e vogla u përjashtuan nga taksa. Pra kemi një përmirësim të dukshëm të performancës fiskale të bashkive të reja, çfarë ka qenë një nga synimet e reformës territoriale. Shpenzimet administrative nga personeli janë ulur me 10 milionë dollarë në 2016. Ndërsa shpenzimet operacionale, në 10 mujorin e parë të 2016 janë ulur me 3 milionë dollar ose 10% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2015“.
Në këtë aktivitet u prezantua edhe raporti i monitorimit të proçesit të decentralizimit – një punë e kryer nga Programi zviceran për Decentralizim e Zhvillim Vendor (DLDP). Raporti tregon mbi ecurinë e decentralizimit dhe përshkruan nivelin e arritjeve apo te sfidave që bashkitë e reja kanë në këtë proçes.
Konkursi Kombëtar i Praktikave të Mira nga qeverisja vendore nisi në shkallë rajonale ku nga 46 Bashki që paraqitën praktikat e tyre të mira rezultuan 4 fitues rajonalë: Bashkia Shkodër me projektin “Zyrat e Integruara me Një Ndalesë”; Bashkia Tiranë me projektin “Tirana Ime”; Bashkia Skrapar me projektin “Zhvillimi i turizmit dhe promovimi i zonës”; dhe Bashkia Fier me projektin “Ngritja e një qendre ditore për fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara”.
Pas zbatimit të Reformës Administrative Territoriale 61 bashkitë e vendit kanë më shumë kompetenca, territore e popullsi më të mëdha, dhe kanë mundësi dhe sfida të shtuara në aspektin ekonomik e social si dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët. Konkursi Kombëtar i Praktikave të Mira nga qeverisja vendore kishte qëllim pikërisht evidentimin e përpjekjeve të bashkive për t’iu përgjigjur sfidave që kanë dalë nga zbatimi i reformave, dhe shpërblimin e disa nga nismat më të mira prej këtyre bashkive.
Konkursi u organizua nga Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore dhe Programi për Decentralizim e Zhvillim Vendor (DLDP), që zbatohet nga Helvetas Swiss Intercooperation dhe financohet nga qeveria Zvicerane. Programi DLDP prej thuajse një dekade punon me njësitë e qeverisjes vendore në veri të Shqipërisë, duke dhënë mbështetje në ngritjen e kapaciteteve të NJQV-ve dhe financimin e projekteve vendore. DLDP gjithashtu ka dhënë mbështetje edhe për një sërë reformash kombëtare dhe hartimin e politikave dhe kuadrit ligjor që ndikon qeverisjen vendore në Shqipëri.
ma.me