Çuditë shqiptare gjatë këtyre 25 viteve nuk kanë fund. Ambicia për t’u zgjeruar sa më shumë duke bërë të fortin në kurriz të komshinjve, por dhe mungesa e zbatimit të ligjit, ka krijuar një situatë kaotike në ndërtimet në kryeqytet. Siç mund të shihni edhe nga këto foto të publikuara në twitter nga kryebashkiaku Veliaj, një qytetar që ka në pronësi një apartament në një pallat 5-katësh të para viteve ’90, ka bërë një kat shtesë, ndërsa ka përshtatur edhe shkallët me spirale përmes ballkonit.
Por falë ndërhyrjes së punonjësve të Bashkisë së Tiranës, kjo hapësirë e përbashkët do t’u rikthehet sërish banorëve duke rritur edhe sigurinë për ta.
Bashkia e Tiranës ka nisur edhe projektin për bashkëpronësinë dhe ‘administratorët e pallateve’, i cili synon krijimin e një rrjeti punonjësish të përzgjedhur nga Ju dhe të certifikuar nga Bashkia e Tiranës, të cilët do të gjenden pranë komunitetit për t’i dhënë zgjidhje problematikave që lindin prej bashkëpronësisë.
Projekti pritet që të sigurojë mirëmbajtjen e ambienteve të bashkëpronësisë, duke moslejuar degradimin dhe shndërrimin e tyre në një problem për të ardhmen.
Kjo nismë do të ndikojë në uljen e mundësisë së shfaqjes së problemeve të vazhdueshme, do të ulë shpenzimet si dhe do të sjellë më pak stres në përditshmërinë tonë.