Nga Enkel Demi/
Dy vjet më parë Sokol Olldashi pasi votonte për një betejë që u pa se ishte e humbur, përshëndeste kandidatët në garë. Fitues ishte Lulëzim Basha me 80 për qind. Kishin thyer kutitë e votimit kudo dhe i patën mbushur si kishin dashur. Koli fitoi vetëm në Patos dhe mbetet enigmë përse veç atje nuk doli humbës. Entuziazmi i përdhunës ishte i ngjashëm si në 26 maj. Duket pasi zgjedhjet e përgjithshme sollën socialistët në pushtet, trimëria e munguar u shpalos në luftën brenda llojit. Nuk donin që Koli të humbte, sepse ai edhe mund të humbte, meqë i përzgjedhuri ishte Luli, por donin ta dërrmonin. Një zotëri nga Shijaku (dhe padyshim shumë të tjerë) më thoshte që nuk e kishin lejuar të votonte, as atë, as të birin, megjithëse ishte themelues i degës së kësaj partie në vitin 1990. Anëtarë të rinj u shfaqën në lista dhe sot po udhëheqin. Pas kësaj dite të zymtë opozitare, Sokoli iku për fare dhe i la thatë me kompleksin e fajit.
Sot, po lexoj mjaft analiza, komente që po flasin për një PD, e cila mund të ringrihet rreth Lulëzim Bashës. Spektri është i gjerë nga e majta në të djathtë. Mustafa Nano rekomandon atëvrasjen që kreu i PD-së nuk e bën dot, të tjerë, liberalët si përherë shohin shpresën e ringjalljes së opozitës tek pamja, dukja, forma, sipërfaqja. Luli vetë është i kapur tek fitorja e tabelave të Kaçit dhe kështu do të ecë përpara, meqë edhe dorëheqja nuk ka sy për qabe të jetë temë e ditës pas zgjedhjeve vendore.
Basha nuk e bën dot Partinë Demokratike, as opozitën. Është e thjeshtë, sepse para dy vjetësh ai e mori partinë duke bërë paktin me djallin që thyente kutitë, nuk linte njerëzit të votonin. Bënte marrëveshje me atë që mbushte lista me anëtarë të paqenë, megjithëse anëtarësia u tha se u ngri. Tash, kudo që shkon i duhet të tërheqë një mëkat të madh me vete, ndaj nuk e beson kush për vjedhjet e zgjedhjeve që ka bërë Rama-Meta, sepse vetë ka vjedhur për t’u zgjedhur. Nuk frymëzon dot kënd në opozitë, sepse fryma nuk e solli në krye të saj.
Ka shumë arsye që ai është sot në krye të Partisë Demokratike, por asnjëra prej tyre nuk janë vullneti i demokratëve, ndaj kot i biem rrotull. Dy vjet më parë Koli nuk bëri parashikimin e mënxyrës së sotme, sepse nuk ishte Nostradamus, thjesht bëri analizën e asaj që ndodhi si në zgjedhjet e mëdha të qershorit, ashtu dhe në ato partiake. Bëri zanatin e vet, të cilin tash pas kaq kohe kushdo e kupton që Luli nuk e gëzon, ndaj shpesh i duhet të qeshë, të premtojë, madje edhe të stonojë. Thonë që edhe rren. Edhe ndodh, sepse me rrenë shkoi në kreun e PD-së. Është njeri në hall. Ka diçka që nuk i takon. Duhet t’i japë një mjeti, kur nuk di të vozisë, duhet të kapërcejë një breg, kur not nuk di.
E vetmja pronë që ka është një kuti e thyer, e cila ka ardhur nga Lushnja, Kukësi a gjetkë.