Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Universitetit të Tiranës.
Të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, që u zhvillua në ambientet e Rektoratit, ishin të pranishëm akademikë, pedagogë, Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit, Albana Shtylla, deputeti Fatmir Toçi, drejtues të shërbimeve të Kuvendit, studentë, etj.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Kuvendit vlerësoi nënshkrimin e këtij memorandumi bashkëpunimi, duke e cilësuar si shumë produktiv.
“Ne kemi patur një bashkëpunim shumë të mirë edhe pse jo të institucionalizuar në mënyrë shumë të qartë apo të programuar në mënyrë shumë të qartë. Një nga këto ka qenë bashkëpunimi në reformën në drejtësi ku shumë përfaqësues të shkencës së të drejtës që janë angazhuar në këtë reformë, të cilët janë edhe pjesë e universitetit tuaj, mjaft aktiv. Por unë jam i bindur që kjo përvojë duhet të jetë e programuar në mënyrë më të qartë, pasi vetë Kuvendi ka nevojë për më shumë analizë, për kërkime, për studime në vendimmarrje të rëndësishme që kanë impakte afatgjatë për zhvillimin e vendit”, – tha Ilir Meta, duke theksuar se dyert e Kuvendit kanë qenë të hapura, por do të jenë akoma më shumë në të ardhmen për të gjithë studentët që dëshirojnë të bëjnë praktikat pranë Kuvendit të Shqipërisë.
“Besoj që në të ardhmen ne do ta zhvillojmë në një mënyrë edhe më efektive këtë bashkëpunim dhe mbi të gjitha do të thosha se ne kemi nevojë për zhvillim të qëndrueshëm të vendit dhe për politika sa më të mençura. Për të përfituar sa më shumë dhe për të patur kosto sa më të menaxhueshme, pasi dihet që shpeshherë vendimmarrjet kanë qenë edhe të nxituara, jo vetëm për shkak ndoshta ndonjëherë të vullnetit politik jo shumë të përgjegjshëm dhe të përmbajtur, por edhe për shkak të mungesës së njohurive të duhura në fusha të caktuara”, – tha Meta.
Duke marrë si për shembull çështjes së mjedisit apo çështjes së mbetjeve, Kryetari i Kuvendit nënvizoi faktin se sa i nevojshëm e i domosdoshëm është paraprirja e vendimmarrjes nga studime, nga debate e nga kërkime.
“Janë disa fusha mjaft të reja ku edhe ata të cilët japin mësim shpesh kanë nevojë të azhornohen dhe jo më deputetët, ku dihet që ende Kuvendi ynë lë për të dëshiruar sa i takon cilësisë së përfaqësimit të drejtpërdrejtë. Dhe në këtë drejtim besoj se ky do të jetë një bashkëpunim afatgjatë. Jam këtu me Sekretaren e Përgjithshme të Kuvendit, përgjegjëse për të gjitha shërbimet e Kuvendit, që funksionojnë shumë më mirë se sa funksion seanca plenare, për këtë dua t’ju sigurojë, por puna e tyre nuk duket shpesh”, – vijoi Ilir Meta.
Në fund, Kryetari i Kuvendit shprehu dëshirën e tij që të gjithë forcat politike në zgjedhjet e vitit 2017 të gjejnë forca dhe mundësi për t’u përfaqësuar me sa më shumë intelektualë, akademikë, profesorë, pedagogë.
“Që fuqia e mendimit të tyre të mos vijë thjesht përmes ekspertizës, përmes këshillave, apo përmes dhe këtij bashkëpunimi, që ne do të nënshkruajmë sot dhe që do të mbetet për një kohë të gjatë, por të vijë edhe përmes një pjesëmarrje më aktive në vendimmarrje, pasi vendi ka nevojë, Kuvendi ka nevojë për këtë gjë. Ne e ndjejmë këtë, por natyrisht që mbi të gjitha vendi ka nevojë një përfaqësim cilësor të gjithë politikëbërjes dhe nga të gjithë forcat politike pa asnjë përjashtim”, – deklaroi ndër të tjera Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.
Ndërsa, Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Mynyr Koni tha në fjalën e tij se ky memorandum ka si qëllim promovimin e punës kërkimore shkencore dhe të mendimit analitik në funksion të demokracisë parlamentare, rritjen e perceptimit dhe të kapaciteteve të studentëve mbi parlamentarizmin.
“Gjithashtu parashikohet që falë këtij akordi të ecet drejt përmirësimit të perceptimit publik dhe të njohjes më të mirë të funksioneve të Kuvendit të Shqipërisë si dhe mbështetjen e institucioneve arsimore në përmbushje të funksioneve të tyre në kuadër të zbatimit të legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë. Dua të theksoj faktin e Universiteti i Tiranës ka një ndikim esencial në shumë aspekte të jetës në vend dhe bashkëpunimi të tilla me institucione të rëndësishme, me këtë rast Kuvendin e Shqipërisë, do të ndikojnë pozitivisht në të dyja anët”, – u shpreh Koni.
Pas firmosje së memorandumit, Kryetari i Kuvendit i dhuroi Universitetit të Tiranës kolanën “Bisedime parlamentare 1920-1939”, një ribotim i Kuvendit në kuadër të 95-vjetorit të parlamentit të parë shqiptar.
Fjala e plotë e Ilir Metës
Është një kënaqësi dhe krenari për mua që të firmos bashkë me Rektorin e Universitetit të Tiranës, profesor Konin, këtë memorandum bashkëpunimi pasi besoj se është një memorandum afatgjatë i bashkëpunimit midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Universitetit të Tiranës dhe besoj që do të jetë shumë më produktiv.
Së dyti, unë kam besim tek kapacitetet e jashtëzakonshme intelektuale, akademike, tek eksperienca e gjithë stafit tuaj akademik në Universitetin e Tiranës në të gjitha fushat.
Ne kemi patur një bashkëpunim shumë të mirë edhe pse jo të institucionalizuar në mënyrë shumë të qartë apo të programuar në mënyrë shumë të qartë. Një nga këto ka qenë bashkëpunimi në reformën në drejtësi ku shumë përfaqësues të shkencës së të drejtës që janë angazhuar në këtë reformë, të cilët janë edhe pjesë e universitetit tuaj, mjaft aktiv. Por unë jam i bindur që kjo përvojë duhet të jetë e programuar në mënyrë më të qartë, pasi vetë Kuvendi ka nevojë për më shumë analizë, për kërkime, për studime në vendimmarrje të rëndësishme që kanë impakte afatgjatë për zhvillimin e vendit.
Dhe padyshim që dyert e Kuvendit kanë qenë të hapura, por do të jenë akoma më shumë në të ardhmen për të gjithë studentët që dëshirojnë të bëjnë praktikat pranë Kuvendit të Shqipërisë.
Kam patur kënaqësinë të takohem me disa prej tyre dhe besoj që në të ardhmen ne do ta zhvillojmë në një mënyrë edhe më efektive këtë bashkëpunim dhe mbi të gjitha do të thosha se ne kemi nevojë për zhvillim të qëndrueshëm të vendit dhe për politika sa më të mençura.
Për të përfituar sa më shumë dhe për të patur kosto sa më të menaxhueshme, pasi dihet që shpeshherë vendimmarrjet kanë qenë edhe të nxituara, jo vetëm për shkak ndoshta ndonjëherë të vullnetit politik jo shumë të përgjegjshëm dhe të përmbajtur, por edhe për shkak të mungesës së njohurive të duhura në fusha të caktuara.
Ne po e vëmë re, për shembull sa i takon çështjes së mjedisit apo çështjes së mbetjeve, sa i nevojshëm e i domosdoshëm është paraprirja e vendimmarrjes nga studime, nga debate, nga kërkime, pasi janë disa fusha mjaft të reja ku edhe ata të cilët japin mësim shpesh kanë nevojë të azhornohen dhe jo më deputetët, ku dihet që ende Kuvendi ynë lë për të dëshiruar sa i takon cilësisë së përfaqësimit të drejtpërdrejtë.
Dhe në këtë drejtim besoj se ky do të jetë një bashkëpunim afatgjatë. Unë jam këtu me Sekretaren e Përgjithshme të Kuvendit, përgjegjëse për të gjitha shërbimet e Kuvendit, që funksionojnë shumë më mirë se sa funksion seanca plenare, për këtë dua t’ju sigurojë, por puna e tyre nuk duket shpesh.
Kemi disa sektor mjaft të rëndësishëm që po fuqizohen, sidomos ai i Kërkimit Parlamentar ku edhe bashkëpunimi mund të jetë shumë më i kualifikuar dhe më racional dhe t’i shërbejë më mirë perspektivës.
Në fund, do të dëshiroja që të gjithë forcat politike në zgjedhjet e vitit 2017 të gjejnë forca dhe mundësi për t’u përfaqësuar me sa më shumë intelektualë, akademikë, profesorë, pedagogë. Që fuqia e mendimit të tyre të mos vijë thjesht përmes ekspertizës, përmes këshillave, apo përmes dhe këtij bashkëpunimi, që ne do të nënshkruajmë sot dhe që do të mbetet për një kohë të gjatë, por të vijë edhe përmes një pjesëmarrje më aktive në vendimmarrje, pasi vendi ka nevojë, Kuvendi ka nevojë për këtë gjë. Ne e ndjejmë këtë, por natyrisht që mbi të gjitha vendi ka nevojë një përfaqësim cilësor të gjithë politikëbërjes dhe nga të gjithë forcat politike pa asnjë përjashtim.
Kështu që ju uroj suksese juve! Ju uroj suksese bashkëpunimit midis Kuvendit dhe Universitet të Tiranës dhe ne do të jemi të hapur që këtë bashkëpunim ta shtrimë edhe me universitetet e tjera në vendi sipas edhe fushave edhe prioriteteve. Faleminderit ishte kënaqësi për të qenë me ju sot!
/a.m.