Pak ditë më parë, drejtuesit e Flamurtarit prezantuan autobusin e ri të skuadrës, që ka kushtuar jo pak, por 300 milionë lekë të vjetër.
Me mjetin komod dhe luksoz skuadra u nis të premten për transfertën e parë në Kukës, por një episod i pakëndshëm ndodhi menjëherë sapo kuqezinjtë hynë në Rrugën e Kombit.
Mjeti është prishur dhe ishte e pamundur që ai të rregullohej sërish, ndërsa lojtarët nuk u kanë besuar syve për një moment.
Megjithatë ata janë detyruar të presin për më shumë se një orë që një tjetër autobus të vinte dhe t’i merrte, për t’i dërguar në Kukës, ku edhe luajtën dje takimin.
Kështu futbollistët nuk kanë mundur t’i gëzohen siç duhet autobusit të ri, për të cilin u shprehën menjëherë entuziastë.
Në profilet e tyre në rrjetet sociale nuk vonuan fotot ku shfaqeshin kushtet luksoze dhe rehatia në udhëtim.