Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri në bazë të detyrimeve të Kodit Zgjedhor miratoi udhëzimin për procedurat e hartimit të listave të zgjedhësve, për zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit 2017.
Në udhëzim janë përcaktuar datat e publikimit të ekstrakteve zgjedhore, ndarja e qendrave të votimit sipas numrit të përcaktuar të votuesve, si dhe procedurat për njoftimin e qytetarëve.
Ekstraktet e përbërësve zgjedhor dhe listat gjenerohen automatikisht nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile. Ai gjeneron formatin elektronik të ekstraktit të përbërësve zgjedhorë brenda datës 20 dhjetor 2016, të ndarë për çdo bashki, sipas qendrave të votimit të zgjedhjeve lokale, të datës 21 qershor 2015.
Nëpunësi i zyrës së gjendjes civile në rast se konstaton se ka qendra votimi me më pak se 200 zgjedhës, apo me më shumë se 1000 zgjedhës, njofton brenda 48 orëve, Kryetarin e Bashkisë.
Në rastet e qendrave të votimit me fraksion, që kalojnë limitin numerik të përcaktuar në ligj, kryetari vendos ndarjen e tyre në pjesë të barabarta me jo më shumë se 1.000 zgjedhës secila.
Për qendrat e votimit me më pak se 200 zgjedhës, kryetari vendos bashkimin e kësaj qendre me një qendër më të afërt dhe me mundësi komunikimi rrugor, shuma e numrit të zgjedhësve duhet të jetë më shumë se 200 zgjedhës.
Në format të posaçëm është lista e zgjedhësve të cilët janë mbi 100 vjeç në datën e zgjedhjeve, si edhe lista e zgjedhësve që e kanë numrin e qendrës të ndryshëm nga qendrat e votimit që i përkasin kësaj zyre të gjendjes civile.
Lista e zgjedhësve është e grupuar sipas zonave të qendrave të votimit. Kufijtë e zonave të qendrave të votimit janë ato të zgjedhjeve të fundit.
Kryetari i Bashkisë pasi ka marrë njoftim nga nëpunësi i gjendjes civile, vendos bashkimin ose ndarjen e qendrave të votimit sipas kërkesave të kriterit numerik dhe cakton vendndodhjen e saktë, adresën e plotë të qendrave të votimit.
Zyrat e gjendjes civile në bashki, brenda datës 4 janar 2017 publikojnë ekstraktin e parë të përbërësve zgjedhorë të të gjithë zgjedhësve.
Ekstrakti i përbërësve zgjedhorë do të publikohet edhe në datë 3 shkurt 2017, në datë 5 mars 2017 në datë 4 prill 2017 dhe në datën 4 maj 2017 në zyrat e gjendjes civile.
Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile publikon këto ekstrakte në shkallë vendi në faqen e saj dhe ia dërgon KQZ-së për publikim edhe në faqen e saj zyrtare.
Kryetari i Bashkisë brenda 60 ditëve, nga publikimi i ekstraktit të parë, bën njoftimin me shkrim të zgjedhësve të përfshirë në ekstraktin e printuar sipas qendrave të votimit brenda territorit të bashkisë përkatëse.
Zgjedhësit të cilët konstatojnë se në përbërësit e tyre zgjedhorë ka mos përputhje, i drejtohen zyrës së gjendjes civile përkatëse për të bërë rregullimet e mundshme.
Të drejtën për kërkesë e kanë edhe shtetasit që kanë mbushur moshën 100 vjeç. Këta shtetas do të bëjnë kërkesë për ndryshimin e qendrës së votimit nga 8899 në qendrën e votimit sipas vendbanimit.
Zyra e gjendjes civile do të pasqyrojë edhe rastet e vendimeve të gjykatës, deri në ditën e printimit të listës së zgjedhësve.
Çdo zyrë e gjendjes civile në Bashki në datë 8 maj 2017 printon nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile dhe firmos listën e zgjedhësve për çdo qendër votimi duke përfshirë edhe institucionet e posaçme, nën juridiksionin e saj.
Kryetari miraton dhe firmos listën dhe e dërgon brenda datës 13 maj 2017 në të tre formatet e parashikuara në Kodin Zgjedhor, në KZAZ-të përkatëse.
Një kopje e listët së zgjedhësve në format të printuar, i dërgohet Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, e cila, jo më vonë se 30 ditë para datës së zgjedhjeve, i dërgon për ruajtje listat e printuara në Arkivin Qendror të Shtetit.
bw/d.i.