Komisioni i Venecias nuk ka shfaqur asnjë kundërshti lidhur me Ligjin për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe sipas tij, dispozitat e ligjit nuk shkelin nenet e Konventës europiane të të Drejtave të Njeriut apo shfaqin problem për asnjë nga çështjet e ngritura nga Gjykata kushtetuese e Shqipërisë në kërkesën e saj për të marrë një opinion rreth tekstit të miratuar nga parlamenti më 30 gusht të këtij viti.
Komisioni, sipas tekstit të siguruar nga Zëri i Amerikës prej burimeve nga Venecia, ka bërë një vlerësim pozitiv të ligjit, ndërsa ka analizuar në mënyrë të të detajuar pikëpyetjet e ngritura pas ankimimit të opozitës në Gjykatë, i cili u pasua nga vendimi i kësaj të fundit për pezullimin e Ligjit.
Kërkesa e Gjykatës Kushtetuese shqiptare drejtuar Venecias përmban një përmbledhje të argumentave të opozitës si dhe katër pyetje specifike, për të cilat është kërkuar dhe mendimi i këtij organizmi. Komisioni i Venecias ka qenë i përfshirë në mënyrë aktive në procesin e ndryshimeve kushtetuese për Reformën e Drejtësisë, fillimisht me Mendimin Paraprak që ofroi në dhjetorin e 2015 mbi projekt ndryshimet kushtetuese, dhe më pas me Opinionin përfundimtar mbi tekstin e rishikuar mbi bazën e vërejtjeve të tij të mëparshme. Pjesa e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve është një nga elementët e rëndësishëm të ndryshimeve kushtetuese të miratuara në 21 korrik. Për të, Komisioni, edhe në përgjigjen ndaj Gjykatës Kushtetuese, rikujton se ky proces “nuk ishte vetëm i justifikuar por i nevojshëm për Shqipërinë për të mbrojtur veten e saj nga e keqja e korrupsionit”.
Në vlerësimin ndaj ligjit, Komisioni i përgjigjet në mënyrë të hollësishme secilës nga katër pyetjeve të ngritura nga Gjykata Kushtetuese shqiptare
PYETJA E PARE
Nisur nga fakti se të gjithë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese janë subjekte të ligjit nr.84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, a konsiderohet pjesëmarrja e tyre në shqyrtimin e kësaj çështje si një rast konflikti interesash ?
VLERESIMI I KOMISIONIT TE VENECIAS
“Në lidhje me çështjen e konfliktit të interesit dhe skualifikimin e mundshëm të gjyqtarëve kushtetues, Komisioni i Venecias nënvizon që të gjithë gjyqtarët kushtetues, sipas Kushtetutës dhe Ligjit të Vetingut, do të jenë objekt i Ligjit të Vetingut, i cili parashikon ri-vlerësimin e çdo gjyqtari në Shqipëri duke përfshirë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. Kështu konflikti i mundshëm i interesit mund të ndikojë pozicionin, jo vetëm të një ose disa gjyqtarëve kushtetues, por të gjithë gjyqtarët kushtetues që janë në detyrë në Gjykatën Kushtetuese. Për pasojë, skualikimi i gjyqtarëve kushtetues për shkak të ekzistencës së konfliktit të interesit do rezultonte në përjashtimin total të mundësisë së rishikimit gjyqësor të Ligjit të Vetingut në lidhje me përputhshmërinë e tij me Kushtetutën. Kjo do të minonte garancitë e siguruara nga një rishikim gjyqësor funksional i legjislacionit. Kjo situatë mund të konsiderohet nga Gjykata Kushtetuese si një ‘rrethanë e jashtëzakonshme’, që mund të kërkojë shmangien nga parimi i skualifikimit me qëllim që të parandalohet mosdhënia e drejtësisë”.
PYETJA E DYTE
A respekton ligji parimin themelor të shtetit të së drejtës dhe të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve? A vihet në rrezik pavarësia e pushtetit gjyqësor nga përfshirja në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të organeve që varen nga pushteti ekzekutiv?
VLERESIMI I KOMISIONIT TE VENECIAS
“Sa i përket përfshirjes së organeve që pretendohet të jenë nën kontrollin e pushtetit ekzekutiv në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, në lidhje me parimin e pavarësisë së gjyqësorit, analiza e tekstit të Ligjit të Rivlerësimit, tregon se, megjithë përfshirjen e organeve, si ILDKPKI-ja (Inspektoriati i Lartë i Deklarimit Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave) ose DSIK-ja, (Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar) në procesin e hetimit dhe kërkimit fillestar të provave, vlerësimi i çdo informacioni ose prove të mbledhur nga ato organe ekzekutive i takon Komisionit dhe Kolegjit të Ankimit, që të dyja kanë karakteristikat e organeve gjyqësore dhe kanë tagrin të verifikojnë vetë provat e mbledhura nga organet ekzekutive. Mbi këtë bazë, mund të arrihet në përfundimin se sistemi i ngritur nga Ligji i Rivlerësimit, nuk duket se përbën ndërhyrje në tagret gjyqësore”.
PYETJA E TRETE
A është ligji në përputhje me nenin 6 të Konventës të së Drejtave të Njeriut lidhur me respektimin e të drejtës për një proces të rregullt ligjor? A bie ndesh me nenin 6 mohimi i të drejtës së gjyqtarëve dhe prokurorëve subjekte të ligjit të rivlerësimit për t`ju drejtuar gjykatave të brendshme?
VLERESIMI I KOMISIONIT TE VENECIAS
“Nëse mungesa e mundësisë për gjyqtarët dhe prokurorët që i nënshtrohen procesit të vetingut për të kundërshtuar vendimet e mara nga institucionet e rivlerësimit para gjykatave vendase, është në shkelje të Nenit 6 të Konventës të së Drejtave të Njeriut, Komisioni i Venecias vlerëson që përgjigja për këtë pyetje varet nga kualifikimi i Kolegjit të Ankimeve në Kushtetutë dhe në Ligjin e rivlerësimit. Sipas Komisionit të Venecias, këto tekste ligjore ofrojnë elemente të mjaftueshëm për të nxjerrë përfundimin që Kolegji i Ankimit mund të konsiderohet si një juridiksion i specializuar që ofron garanci gjyqësore për personat e prekur nga procedura e rivlerësimit. Të drejtat dhe garancitë e përfshira në skemën legjislative dhe kushtetuese duken të gjera”.
PYETJA E KATERT
Dispozitat e ligjit për kontrollin e figurës të subjekteve të rivlerësimit a bien ndesh me nenin 8 të Konventës të së Drejtave të Njeriut lidhur me respektimin e jetës private dhe familjare të gjyqtarëve dhe prokurorëve ?
VLERESIMI I KOMISIONIT TE VENECIAS
“Sa i përket çështjes nëse dispozitat ligjore në lidhje me kontrollin e figurës janë në kundërshtim me Nenin 8 të Konventës të së Drejtave të Njeriut, duhet të merret në konsideratë fakti që kontrolli i figurës ka si qëllim të verifikojë deklaratat e gjyqtarëve dhe prokurorëve që vlerësohen me qëllim përcaktimin nëse ata kanë patur kontakte të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar. Si i tillë, ky është një qëllim legjitim duke patur parasysh paragrafin e dytë të Nenit 8 të KEDNJ-së (interesat e sigurisë kombëtare, siguria publike, parandalimi i mungesës së rendit ose krimit, ose mbrojtja e të drejtave dhe lirive të të tjerëve). Sipas Komisionit të Venecias, konsiderata thelbësore është që grupi i punës i cili ka rolin kryesor në vlerësimin e figurës dhe që përbëhet kryesisht nga personeli i sigurisë, funksionon nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e organeve të rivlerësimit dhe që i gjithë materiali përkatës para grupit të punës duhet t’u ofrohet atyre. Komisioni i Venecias është i mendimit që ndërsa vlerësimi i figurës është natyrisht ndërhyrës, ai nuk mund të shihet si një ndërhyrje e pajustifikuar në jetën private ose familjare të gjyqtarëve dhe prokurorëve në kundërshtim me Nenin 8 të KEDNJ-së”.
Vlerësimi i Komisionit të Venecias pritet t’i përcillet zyrtarisht Gykatës Kushtetuese e cila ndërkohë ka zhvilluar pak javë më parë një seancë ku ka dëgjuar qëndrimin dhe pretendimet e palëve dhe tanimë duhet të dalë me një vendim përfundimtar.
VOA