Forcat e Armatosura nisën në operacionin e NATO-s në Afganistan “Resolute Support Mission”, kontingjentin e parë të batalionit të dytë të këmbësorisë, i cili do të shërbejë në Herat, nën komandën e FA italiane.
Në ceremoninë e përcjelljes së kontingjentit shqiptar ishin të pranishëm ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, ambasadori i Republikës së Italisë Alberto Cutillo, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneral brigade Dedë Prenga, deputeti Arben Çuko, komandantë forcash dhe familjarë të pjesëtarëve të këtij kontingjenti.
Në fjalën e tij ambasadori italian Alberto Cutillo konfirmoi lidhjet e ngushta mes forcave të armatosura të të dy vendeve, si dhe vlerësoi në veçanti bashkëpunimin e fundit. “Roli i Forcave të Armatosura italiane dhe shqiptare vjen e forcohet me pjesëmarrjen në këtë mision, qëllimi i të cilit është dhënia e kontributit të vazhdueshëm për paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar.”- tha ambasadori Cutillo.
Ministrja Kodheli solli në vëmendje nisjen vetëm 5 ditë më parë të një kontingjenti të Policisë Ushtarake në Kabul të Afganistanit, dhe theksoi se nisja e kontingjentit të sotëm dyfishon pjesëmarrjen e Shqipërisë në “Resolute Support Mission”.
Zonja Kodheli përmendi shtimin e pjesëmarrjes në misionet e tjera jashtë vendit, dhe nga fillimi i vitit që vjen, pjesëmarrjen në një tjetër mision në Irak. Ajo vlerësoi shtimin e pjesëmarrjes në misionet ndërkombëtare, për të cilat tha se kanë qenë rezultat i angazhimeve që vendi ynë ka marrë si anëtar i NATO-s, ku siç tha ajo “Shqipëria ka një vend të respektueshëm, të njohur dhe me vlerësimet më pozitive.”
Ministrja Kodheli vlerësoi bashkëpunimin me një vend, siç tha ajo “aleat strategjik dhe mik, si Italia”, si dhe shprehu mirënjohjen për qeverinë italiane, “për mbështetjen e pakursyeshme që i kanë dhënë ndër vite, vendit dhe Forcave tona të Armatosura”, si dhe u shpreh e vendosur për vijimin e këtij bashkëpunimi. “Shqipëria mbetet shpresëplotë dhe e palëkundur të vijojë bashkëpunimin me Italinë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Një tjetër projekt i madh që jemi duke përfunduar me Forcat e Armatosura italiane, është dhurimi i armatimit model NATO, që për vitin 2017, do të plotësojnë të gjitha nevojat e Forcave tona të Armatosura.”- theksoi ministrja Kodheli.
Kontigjenti i nisur sot është pjesë e kompanisë “Puma” të b2k të Forcës Tokësore dhe përbëhet nga 40 ushtarakë, mes të cilëve edhe 2 femra.
Ky kontingjent do të shërbejë në Komandën e Trajnim – Këshillimit dhe Ndihmës në Herat të Afganistanit për një periudhë 6 – mujore, brenda fushës së përgjegjësisë italiane./a.m.