Kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj gjatë një deklarate për mediat ka akuzuar qeverinë per transportin e drogës që behet nga Shqipëria në Itali. Sipas Alibeaj Shqipëria po kthehet në oazin e trafikantëve, ndërsa rreth 4 ton drogë janë kapur në dy ditët e fundit në Itali, drogë e mbjellë, e magazinuar, e transportuar nga Shqipëria. Alibeaj u shpreh më tej se droga i ka zënë rrugën integrimit të vendit drejt Bashkimit Europian.
“Këto ngarkesa të mëdha dëshmojnë edhe një herë se Shqipëria me Edi Ramën u bë hambari i Europës për drogën, dhe për këtë arsye prej kohësh bien kambanat e alarmit. Qartazi, e shkruar dhe në raportet evropiane dhe në qëndrimet e tyre, droga i ka zënë rrugën vendit tonë drejt Bashkimit Europian . Vetëm Edi Rama refuzon ta njohë këtë realitet.
Edhe pse në brigjet Italinë dhe në Greqi pothuajse çdo ditë mbërrin një ngarkesë me tonetala me drogë, Rama sërish thotë nuk ka drogë.”- tha Alibeaj raporton BW. Më tej kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD u shpreh se droga nuk kapet asnjëherë nga policia shqiptare, por vetëm nga fqinjët.
“Një trafik i tillë i organizuar nuk kapet asnjëherë nga autoritetet tona, por vetëm nga policitë e vendeve fqinje. Kjo dëshmon qartë se karteleve të drogës u ofrohet lehtësia dhe bashkëpunimi i duhur në këtë biznes kriminal. Me Edi Ramen dhe Sajmir Tahirin, Shqipëria është kthyer në oazin e bosëve të drogës. Me Partinë Demokratike Shqipëria do të pastrohet nga droga, trafikantët do të shtypen me forcën e ligjit dhe Shqipëria do ti kthehet shqiptareve të ndershëm që duan dhe do të jetojne me punë të ndershme”- tha Alibeaj./a.m.