Agon Ajeti, një i ri nga Presheva, është përballur përditë me njerëz që kanë ardhur nga larg në lagjen e tij. Refugjatë që shtohen përditë, për fatin e të cilëve nuk pyet askush. Ai, së bashku me disa miq të tij, u kanë ofruar shtëpitë e tyre që kanë qenë të pabanueshme, ndërsa lagjet shqiptare të Luginës së Preshevës kanë strehuar dhe strehojnë edhe familje në gjendje të rëndë.
“Për gjatë gjithë periudhës së fundit dhjetë ditore në vendin tonë u paraqit një sfidë tejet e madhe për ne -strehimi i refugjatëve që kalonin tranzit nëpër qytetin tonë, duke u bërë kështu përditshmëri e jona.Për dhjetë ditë rresht në këto ambiente me një impenjim intenziv u strehuan për çdo natë diku rreth 200 persona (burra, gra, fëmijë, pleq dhe të rritur) duke strehuar kështu rreth 2000 refugjatë në këto hapsira banuese.
Në ndihmë dolën poashtu edhe shumë qytetarë, vlen të theksohet se ne hasëm në mirëkuptim me gjithë banorët e lagjës (për të cilën ne do ju jemi mirënjohës dhe falemnderues pafundësisht) të cilët ofruan përkrahjen e tyre të jashtëzakonshme në çdo rastë dhe në çdo formë duke kontribuar me sjelljen e dyshekëve, jastëkëve, mbulesave, veshmbathjeve etj.I urojmë rrugëtim të mbarë, bashkim me familjarët e tyre, shëndet dhe jetë të gjatë, e nëse do lypset prap nevoja, ne jemi të gatshëm që të vazhdojmë këtë aktivitet për t’i dalë në ndihmë atyreve që do të vijnë” thekson Agon Ajeti, një i ri nga Presheva.
Megjithatë, në Ballkan, njerëzit si Agon Ajeti dhe miqtë e tij, duken të paktë.