Nuk është më sekret se, Lulzim Basha ka projektuar tashmë një rreth të besuarish, për të zëvendësuar “gardën e vjetër” të Partisë Demokratike, në parlament dhe në forumet e larta të partisë. Paralajmërimi i përsëritur se, 35 për qind e grupit parlament demokrat, që do të dalë nga zgjedhjet e 2017, do të përbehet nga të rinj të FRPD, është vetëm pjesa e deklaruar e skenarit.
Burime pranë PD bëjnë me dije se dy janë skemat, me të cilat Lulzim Basha do të operojë për përjashtimin e kundërshtarëve të dukshëm dhe të padukshëm nga lista e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 18 Qershorit. Së pari, ashtu siç edhe parashikohet në Statusin e PD, Basha do të vërë në lëvizje Këshillin Kombëtar për të zgjedhur 65 për qind të listës së kandidatëve për deputetë.
Ndonëse shumëkush beson se lista do të hartohet nga ish-kryeministri Sali Berisha, kryetari Basha ka në plan për të hedhur në votim, në Këshillin Kombëtar, një listë të gjatë me kandidatë për t’u bërë pjesë e listës përfundimtare për deputetë. Për të shuar pretendimet dhe akuzat e mundshme, në Këshillin Kombëtar do të testohen me votë si rrethi i të besuarve të kryetarit, ashtu edhe “garda e vjetër”.
Emrat që do të testohen, do të propozohen nga Kryesia e partisë, bazuar në pikën “d” të Statutit të PD.
Skema e dytë
Për zgjedhjen e 35 për qind të kandidatëve për deputetë, në radhët e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, do të ketë një proces më vete. Kandidatët, të cilët sipas premtimit të Bashës do të jenë pjesë e listës fituese për deputetë, do të zgjidhjen në radhët e FRPD dhe nga degët e FRPD. Nuk dihet nëse emrat që do të dalin nga ky proces votimi do të konfirmohen më pas nga Këshilli Kombëtar, por nuk ka dyshim se më të favorizuarit janë krerët e FRPD në rrethe, për shkak se ata kanë marrë mbështetjen maksimale vitin e kaluar.
Ndërkaq, zgjedhja në radhët e FRPD të 35 për qind të kandidatëve për deputetë është një kërcënim i hapur për deputetët e grupit aktual parlamentar demokrat, shumica e të cilëve, sipas gjasave, nuk do jetë pjesë e parlamentit të ardhshëm.
Kontrolli i Këshillit Kombëtar
Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike përbëhet nga dy grupe kryesore. Grupi i parë, por jo më i rëndësishmi, përbëhet nga personazhe me dosje në prokurori. Këta eksponentët, që kanë peshën më të madhe në humbjen e PD, janë strehuar në Këshillin Kombëtar, duke e konsideruar si mburojë politike.
Grupi i dytë dhe më i rëndësishmi, por jo edhe aq i dukshëm, përbëhet nga ish-njerëzit e Lulzim Bashës në Bashkinë e Tiranës. Lista nis me Agest Kopellajn, shok i Erjon Isufit, kunatit të Lulzim Bashës.
Më pas vjen Alban Male, burri i Odetës, e cila punon të agjencia e kunatit. Lista vijon me: Albana Myftari, Dhurata Çupi, Edi Lesi, Elisa Gjepali, Endri Kokoshi, Eni Kasmi, Enno Bozdo, Ervin Salianji, Etion Kapedani, Florian Pustina, Greta Deljani, Haris Vongli, Ilir Dervishi, Ina Vorfi etj., të gjithë pjesë e ish-stafit të Bashës në Bashkinë e Tiranës.
Sinjali i parë për ish-ministrat
Kryetari i PD, Lulzim Basha ka evituar ish-ministrat e Partisë Demokratike nga turi i ri nëpër Shqipëri, për prezantimin e programit apo alternativës qeverisëse, në kuadër të zgjedhjeve të 2017. Ish-ministrat e qeverisë “Berisha” dhe eksponentë të lartë të opozitës, me ose pa pëlqimin e tyre, janë shmangur nga fushata e prezantimit të programit qeverisës, për ekonominë, shëndetësinë, bujqësinë, arsimin etj. Janë shmangur pikërisht ish-ministrat përkatës, duke nisur që nga Ridvan Bode, Genc Ruli, Myqerem Tafaj, Majlinda Bregu, Arben Imami etj.
Jashtë aksionit të ri politik janë lënë sigurisht edhe Jozefina Topalli, Astrit Patozi dhe personazhe të tjerë, të cilët herë pas here, kanë artikuluar kritika për mënyrën se si Basha po e menaxhon opozitën. Nga fusha e re janë shmangur edhe deputetë me eksperiencë të Partisë Demokratike, ekonomistë dhe ish-kryetar të komisioneve të rëndësishme parlamentare.
Dy skemat
Dy janë skemat, me të cilat Lulzim Basha do të operojë për përjashtimin e “armiqve” të dukshëm dhe të padukshëm nga lista e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 18 Qershorit.
Kërcënimi
Zgjedhja në radhët e FRPD të 35 për qind të kandidatëve për deputetë është një kërcënim i hapur për deputetët e grupit aktual parlamentar demokrat, shumica e të cilëve, sipas gjasave, nuk do jetë pjesë e parlamentit të ardhshëm./Shqiptarja/a.m.