Më shumë se 1.000 atletë rusë kanë përdorur doping të sponsorizuar nga shteti në programin katërvjeçar, që nga viti 2011. Pjesa e fundit e raportit të Agjencisë Botërore Anti-Doping (WADA-s), të autorit Richard McLaren, shpjegon se të dopinguar ishin pjesëmarrësit të cilët kanë fituar katër medalje në Lojërat Olimpike Dimërore në Soçi 2014, si dhe pesë konkurrentë me medalje dy vjet më parë në lojërat në Londër.
Siç u tha, atletët në këtë hap nuk kanë vendosur në mënyrë individuale, por si pjesë e programit të shtetit të Rusisë.
“Ky është një skandal me përmasa të papara, me strategjinë që Rusia të fitojë sa më shumë medalje”, tha McLaren, raporton BBC.
WADA më parë kishte kërkuar nga Komitetit Olimpik Ndërkombëtar një pezullim të plotë të sportistëve rusë, por kërkesa është refuzuar.
Disa prej federatave ndërkombëtare pezulluan atletët rusë nga konkurrenca, kështu që atletët nuk mundën që të marrin pjesë në kampionatin evropian dhe Lojërat Olimpike në Rio de Janeiro, ndërsa nga Lojërat Paraolimpike u përjashtua komplet ekipi rus, citohet “Express”. (b.an)