Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, ka qënë dje i pranishëm në ambjentet e univeristetit privat “Epoka” për një bashkëbisedim me studentët dhe pedagogët. Për më shumë se nje orë ai ju përgjigj, pyetjeve rreth zhvillimit të futbollit shqiptar, arritjet dhe synimet e tij. Ai u ndal në çështje të rëndësishme që kanë përfshirë futbollin tonë ndër vite, që me pjesmarrjen për herë të parë të një klubi shqiptar në grupet e “Europa League” e deri në kulmin e saj që ishte kualifikimi për në finalet e Euro 2016.
Gjatë rrëfimit të tij, Duka u shpreh se pas humbjes me Islandën ka menduar seriozisht lënien e postit si president i FSHF-së.
“Ai moment për mua ishte pas humbjes me Islandën, kur mendoja nëse e gjitha kjo ia vlente.
Kryesonim ndeshjen 1-0, por në fund humbëm në mënyrë thuajse amatore. Por, më pas erdhi ai sukses madhështor me kualifikimin e Shqipërisë në Kampionatin Europian të Francës”- ishin fjalët e tij rreth çështjes së dorëheqjes.
Kreu i FSHF-së u ndal gjatë edhe tek problemi i trukimit të ndeshjeve të kampionatit tonë duke thenë se ky është një fenomen i njohur në mbarë botën që pa hyrë paraja në mes.
Sipas tij sot është akoma më sensibël sepse ka edhe elementë financiarë në mes por në krahasim me vite më përpara ku ky fenomen filloi të lulëzonte në Shqipëri është bërë një progres i dukshëm dhe ka shumë më pak trukime ndeshjesh.
Në rastin e Skënderbeut, UEFA ka dhënë një dënim minimal pasi nuk u bazua në fakte plotësisht të vërteta sepse në të kundërt dënimi do kishte qënë më i madh.
Në fund Duka u ndal edhe tek çështja e kualifikimit të kombëtares në botërorin e Rusisë.
“Kualifikueset e “Botërorit 2018”? Kualifkimi në grupin aktual është shumë i vështirë, madje mund të thuhet thuajse i pamundur, pavarësisht se kjo fjalë nuk duhet të ekzistojë. Ndeshja me Italinë është e rëndësishme për të kristalizuar objektivat tona në këtë edicion.
Synimi është të kemi një pozicionim të favorshëm, i cili do të na ndihmonte për shortin e “Euro 2020”, për t’u kualifikuar sërish në finalet e këtij turneu”.
ma.me