Qeveria ka miratuar vendimin për kijimin dhe mënyrën e organizimit të Agjencisë për Eficencën e Energjisë.
Kjo Agjenci do të jetë në varësi të ministrit të Energjisë dhe përgjegjëse për zbatimin e politikave dhe nxitjen e masave për eficencën e energjisë.
Sa i takon organizimit dhe funksionimit, vendimi specifikon se “AEE-ja ka statusin e drejtorisë së përgjithshme dhe organizohet në nivel qendror. Ajo financohet nga buxheti i shtetit dhe nga burime të tjera të ligjshme, si dhe administron të ardhurat nga buxheti i shtetit dhe ato të siguruara nga donacionet dhe shërbimet ndaj palëve të tjera, sipas legjislacionit përkatës në fuqi.
AEE-ja do të ushtrojë juridiksionin dhe veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet zyrës së saj qendrore në Tiranë.
Detyrat dhe përgjegjësitë e kësaj Agjencie janë:
-Të përgatisë, të zbatojë dhe të monitorojë politikat dhe programet për përdorimin eficent të energjisë në sektorët rezidencialë të shërbimeve, të industrisë, të transportit dhe të bujqësisë;
-Të përgatisë dhe të monitorojë Planin Kombëtar të Veprimit për Eficencën e Energjisë;
-T’i paraqesë, çdo vit, ministrit një raport të hollësishëm lidhur me zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Eficencën e Energjisë;
-Të bashkëpunojë me autoritetet qendrore dhe vendore, shoqëritë që operojnë në objektet industriale dhe organizatat e ndryshme jofitimprurëse për krijimin dhe përditësimin e bazës së nevojshme të të dhënave të energjisë, përfshirë llogaritjen e treguesve të eficencës së energjisë, si dhe për zbatimin e masave për nxitjen e eficencës së energjisë;
-Të përgatisë dhe t’i propozojë ministrit aktet e nevojshme nënligjore për nxitjen e eficencës së energjisë, siç parashikohet në ligjin për eficencën e energjisë dhe në ligjin për performancën e energjisë në ndërtesa;
-Të përgatisë standardet, normat dhe rregulloret teknike, me qëllim rritjen e eficencës së energjisë së pajisjeve, aparaturave dhe makinerive që përdoren për prodhimin, transportin, shpërndarjen dhe konsumin e energjisë në sektorët rezidencialë të shërbimeve, të industrisë, të transportit e të bujqësisë;
-Të vlerësojë teknikisht projektet e investimeve në fushën e eficencës së energjisë, të paraqitura pranë Fondit të Eficencës nga subjektet e interesuara;
-Të lidhë marrëveshje vullnetare, sipas përcaktimeve të pikës 3, të nenit 12, të ligjit nr.124/2015, “Për eficencën e energjisë”;
-T’i propozojë Fondit dhënien e mbështetjes financiare për projektet që aplikojnë për financime nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera të brendshme ose të jashtme për marrjen e masave për eficencën e energjisë, sipas parashikimeve të pikës 3, të nenit 12, të ligjit nr.124/2015, “Për eficencën e energjisë”;
-Të përgatisë kontrata standarde për shërbime energjetike që financohen nga Fondi, të cilat miratohen nga ministri, dhe t’i publikojë ato në faqen e saj zyrtare;
-Të koordinojë programet e eficencës së energjisë, të financuara nga institucionet ose organizatat ndërkombëtare, mbështetur në marrëveshjet qeveritare;
-Të bashkëpunojë me institucionet dhe organizatat vendase e ndërkombëtare, me qëllim përdorimin me eficencë të energjisë dhe reduktimin e ndikimit negativ në mjedis;
-Të këshillojë autoritetet e administratës publike vendore, administratorët e ndërtesave publike dhe atyre me destinacion banimi për përgatitjen dhe zbatimin e projekteve të eficencës së energjisë;
-Të bashkëpunojë me organet akredituese për marrjen e informacionit për rezultatet e testeve dhe të matjeve, për përmbushjen e standardeve kombëtare të eficencës së energjisë;
-Të zhvillojë dhe të koordinojë programet e trajnimit;
-Të këshillojë konsumatorët fundorë për programet e eficencës së energjisë, të ndërmarra prej tyre;
-Të mbështesë dhe të këshillojë kryerjen e fushatave të ndërgjegjësimit publik dhe veprimtarive të tjera edukative, lidhur me nxitjen e eficencës dhe kursimit të energjisë;
-Të verifikojë, në rast se e çmon të nevojshme, saktësinë e të dhënave të raporteve të hartuara nga një auditues energjetik;
-Të mbikëqyrë dhe të verifikojë, në rast se e çmon të nevojshme ose në rast se indentifikohen parregullsi, saktësinë e të dhënave të raporteve të hartuara nga një auditues energjetik;
-Të mbledhë dhe të administrojë të dhëna të monitorimit;
-Të mbajë dhe të përditësojë bazën e të dhënave me regjistrin e audituesve të energjisë, të kompanive të shërbimit të energjisë, kopje të certifikatave të energjisë, të raporteve të auditimit, të raporteve të verifikimit, bilance të konsumit të energjisë të ardhura nga deklarimi i konsumatorëve të mëdhenj;
-Të kryejë aktivitete të tjera me interes publik, në bazë të dispozitave ligjore dhe të akteve të tjera ligjore në fuqi;
-Të vendosë masa administrative, sipas ligjit për efiçencën e energjisë dhe ligjit për performancën e energjisë në ndërtesa;
-Të lajmërojë organet shtetërore kompetente, në rastet kur vërehen shkelje administrative, veprime apo mosveprime në kundërshtim me ligjin, duke u propozuar organeve përkatëse marrjen e masave disiplinore ndaj personave përgjegjës, si dhe përgatitjen e kallëzimit penal për veprat penale të vëna re gjatë ushtrimit të kontrollit dhe paraqitjen e tyre pranë organeve përgjegjëse, sipas legjislacionit në fuqi./a.m.