Drejtori i Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, Gent Beqiri zhvilloi të mërkurën një takim me ambasadorin e Izraelit në Tiranë, Boaz Rodkin, ku u diskutua mbi thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Gjatë takimit, ambasadori u njoh me shërbimet që AIDA ofron për investitorët që duan të vijnë të investojnë në Shqipëri.
Kreu i AIDA-s, Beqiri, u shpreh se tu ofrohet e gjithë asistenca e nevojshme kompa’nive që synojnë tregun shqiptar për të investuar në fushat strategjike si bujqësi, turizëm,energji dhe infrastrukture.
Qeveritë e Izraelit dhe Shqipërisë në këto vite të vendosjes se marrëdhënieve diplomatike kanë vazhduar bashkëpunimin, i cili ka arritur të përfundojë marrëveshje dypalëshe në fushat të tilla si; bashkëpunimi në fushën e bujqësisë, të tregtisë dhe të bashkëpunimit ekonomik, si dhe në fushën e mjekësisë veterinare, shërbimeve ajrore; për bashkëpunim në fushën e kulturës, arsimit dhe shkencës, në fushën e mbrojtjes se bimëve etj.
Një hap i madh është edhe krijimi i forumeve dypalëshe të biznesit, shkëmbimi i delegacioneve të biznesit nga dy vendet, takimet biznes me biznes, krijimin e Dhomës së Tregtisë Shqipëri- Izrael, etj.
Qeveria shqiptare është e interesuar në sjelljen e investimeve izraelite në Shqipëri. Ata janë të pranishëm në bujqësi, sektorin e energjisë, ndërtimit, në sistemin e kujdesit shëndetësor, transportit detar të anijeve, të gazit, kontrollit dhe monitorimit dixhital dhe telekomunikacionit.
Bashkëpunimi ekonomik midis Shqipërisë dhe Izraelit vitet e fundit ka ardhur duke u intensifikuar. Të dyja palët shprehën gadishmërinë për organizimin e eventeve promovuese të fokusuara në sektorët strategjikë me qëllim rritjen e prezencës së investimeve izraelite në Shqipëri./a.m.