Opinioni përfundimtar i Komisionit të Venecias publikohet të shtunën, por Top Channel ka siguruar një prej faqeve të përgjigjes që ekspertët e Venecias do t’i japin Gjykatës Kushtetuese. Bëhet fjalë për një pjesë e përgjigjes për pyetjen e pestë të gjykatës, një dokument që Top Channel e disponon të plotë me të pesta kërkesat e Gjykatës Kushtetuese për Venecian.
“Forma e përcaktuar në Aneksin 3 të ligjit të vettingut kërkon që personi të deklarojë, nëse ka patur kontakte te papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar dhe të listojnë këto kontakte. Qoftë edhe një kontakt i vetëm kërkohet për t’u deklaruar. Nuk do të ishte një detyrë vecanerisht e vështirë për të plotësuar këtë deklaratë, vec nëse ky është një gjykatës apo prokuror, kontaktet e te cilit me krimin e organizuar janë shume të zgjeruara”, thuhet aty.
Ajo çfare mbetet ende e paqartë është nëse Venecia në pjesën tjetër të opinionit bie apo jo dakort me disa masa të tjera shtrënguese të kundërshtuara në Gjykatën Kushtetuese dhe që kanë lidhje me jetën private dhe familjare të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Megjithatë, gjuha e përdorur nga Venecia në këtë faqe që Top Channel disponon, nuk lë shteg për hapësira interpretimi tek vlefshmëria e formularëve të vetëdeklarimit për kontrollin e figurës apo të pasurisë, edhe kjo një pjesë shumë e rëndësishme e ligjit të Vettingut.
Megjithëse thelbi i pyetjes së opozitës është më i gjerë, gjuha e përdorur nuk lë shumë shteg për dyshime dhe konfirmon zërat që qarkullojnë prej disa ditësh nga e majta dhe e djtahta, se edhe qëndrimi final do të jetë pro këtij ligji.
“Ligji është në përputhje të plotë me kushtetutën në çdo detaj të tij“. Është ky opinioni final i juristëve të Komisionit të Venecias për ligjin shqiptar të Vettingut.
Opinioni do të miratohet në seancat e komisionit në datën 8 ose 9 dhjetor, por i është përcjellë paraprakisht dhe partive politike shqiptare. Dokumenti me konkluzionet e Venecias i paraqitet Coreperit, ose ndryshe të Këshillit të ambasadorëve të vendeve të bashkimit europian në Bruksel.
Këta të fundit pritet te mblidhen pasditen e sotme në orën 16 për t’u njohur mbi ligjshmërinë e Vettingut. Më pas ky dokument do t’i përcillet nëpërmjet tyre qeverive të vendeve anëtare të BE-së për të përgatitur raportin mbi negociatat shqiptare. Pasi Vettingu ishte kushti kryesor për caktimin e një date për hapjen e tyre.
Kjo bën që pavarësisht vendimit të gjykatës kushtetuese pas datës 9, vendet e BE-së ta kenë të qartë çdo të bëjnë me negociatat shqiptare. Burime sqarojnë se tek konkluzionet theksohet se ligji nuk cenon as kushtetutën e as nenin 6 të konventës europiane të të drejtave të njeriut.
“Ky ligj respekton nenin 6 të konventës se garanton shkallët e ankimit. I garanton dhe komisioni i pavarur dhe kolegji i apelimit pranë gjykatës kushtetuese”, shkruhet në opinion Venecias.
Venecia sheh në rregull dhe rolin e Drejtorisë së Informacionit të Klasifikuar dhe Inspektoratit të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, të cilat sipas PD-së dublonin institucionet e tjera të Vettingut dhe kishin varësi direkte nga qeveria.
ma.me