Në Ministrinë e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë e Sipërmarrjes u zhvillua mbledhja e dytë e Komitetit të Lehtësimit të Tregtisë.
Ky komitet drejtohet nga Ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi dhe në përbërje të tij janë përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë, Ministrisë së Integrimit, përfaqësues të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Përfaqësues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, të Bashkimit të Dhomave të Tregtisë, përfaqësues të USAID.
Qëllimi i krijimit të këtij Komiteti është të zgjidhë problematikat që bizneset hasin në çështjet e eksportit të produkteve të tyre jashtë Shqipërisë.
Tematika e takimit të radhës ishte miratimi i rregullores së Komitetit të Lehtësimit të Tregtisë dhe prezantimi i planit operacional.
Gjithashtu, u diskutua për Sekretarinë Teknike tashmë të krijuar brenda MZHETTS, synimi i së cilës është të presë shqetësimet e biznesit për lehtësimin e tregtisë. Kjo strukturë do të shërbejë si hap i parë për krijimin e një “help desku”, me vlerë 6 milionë lekë të reja, tek i cili bizneset do të drejtohen dhe marrin informacione mbi procedurat dhe kërkesat teknike, që duhet të kenë produktet sipas tregjeve ku eksportohet.
Për funksionimin e kësaj sekretarie, ministrja Ekonomi kërkoi që përfaqësuesit e institucioneve të pranishëm, të kontribuojnë me ekspertë dhe staf, në mënyrë që t’u jepet sa më shpejt e saktë përgjigje shqetësimeve të bizneseve që eksportojnë.
Të pranishmit diskutuan në vijim mbi disa raste vështirësish tregtimi të hasura së fundi nga eksportuesit shqiptarë lidhur me nënproduktet e qumështit, eksportin e limonave, domateve etj.
Këto problematika vijnë edhe si rezultat i mungesës së dokumentacionit përkatës të eksportuesve shqiptarë, të cilët duhet të kenë certifikatën e analizave të produktit, një etiketim dhe ambalazhim më cilësor etj.
Ministrja shtoi se AIDA mund të përdoret nga bizneset prodhuese, për t’u rritur produkteve cilësinë e paketimit dhe etiketimit, ndërsa kërkoi nga Ministria e Bujqësisë dhe AKU që t’ua bëjnë të qartë fermerëve kushtet që duhet të plotësojë një produkt para se të eksportohet.
Përfaqësuesi i USAID dhe Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë u angazhuan për të mbështetur menjëherë Sekretarinë Teknike, për lançimin sa më shpejt të ‘Help Desk’./a.k