Nga Spartak Ngjela
Buk’ e mëmëdheut zëntë
Tradhëtorët e pabesë
Dhe Zoti dërmën u dhëntë
Kurrë mos paçin pjesë…
Naim Frashlri
l.
Kjo iu përshtatet njësh sot badakçinjëve të korrupsionit Shqiptar, që nuk po lënë gur pa luajtur kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve për t’i shpëtuar ndëshkimit. Por, ama, ta kenë të qartë: “kurrë nuk do të kenë pjesë”, sak ashtu siç thotë Naim Frashëri.
Dhe janë bërë qesharakë. Po habitet Europa me ca zarbore që lëvrijnë si parazitë në trupin e shoqërisë shqiptare, duke shpikur lloj lloj pretekstesh: të gjitha për të shpëtuar shkatërrimin e tyre si abuzues kundrejt shqiptarëve.
Vërtiten medieve dhe sokëllijnë, por askush nuk ia dëgjon sokëllimën. Këta kërkojnë kohë, por kohë s’kanë; kërkojnë aleatë në Perëndim, por dhe ata s’i kanë; kërkojnë ndihmë të fqinjët për të shitur interesin kombëtar, por këta janë te telikosur dhe të drobitur; kërkojnë destabilizimin e Shqipërisë, por shqiptarët tallen me ta; dhe, më në fund, kërkuan nga shqiptarët që këta të prishen me Bashkimin Europian, sepse ky Bashkim nuk pranon Sali Berishën dhe taborin e tij. Janë esencialisht, fëmijë… Por e kanë mbushur moshën e burgut….
ll.
Sidomos po tregohen qesharakë kundër ambasadorit amerikan në Tiranë, sidomos hajdutët. Pse mor të mjerë! – me 200 milionë dollarë të vjedhura nga arka e shtetit do mundni ju interesin amerikan në Ballkan?
Ambasadori amerikan Donald Lu sot ka admirimin e flakët të të gjithë shqiptarëve të fyer, të poshtruar dhe të vjedhur nga abuzivizmi shtetëror në Shqipëri. Ky është fakt. Madje ambasadori edhe më i ashpër duhet të jetë kundër tyre, se shqiptarët po presin prej tij dhe politikës amerikane që të artikulojnë emrat e banditëve pushtetarë dhe të ekspozojë edhe faktet e shumtë.
Shqipëria është përpara ndryshimit të madh, dhe ka sot një frymë shumë patriotike te brezi i ri, i cili e ka kuptuar se, një grusht politikanësh dhe gjyqtarësh të korruptuar, iu kanë grabitur e po duan t’iu grabisin shqiptarëve të ardhmen europiane dhe prosperitetin e atdheut të tyre.
Zoti Lu, kjo është mbështetje e madhe ndaj jush dhe prandaj duhet të dilni hapur përpara shqiptarëve; sepse kjo është një kohë kur politika perëndimore dhe atlantike me të drejtë mendon që, për interesin e saj të madh në Ballkanin Perëndimor, të mbështetet në botën shqiptarë në Ballkan, dhe do të mbështetet, duan apo nuk duan “tradhëtorët e pabesë” që përmend poeti ynë kombëtar Naim Frashëri, te poezia e tij “Tradhëtorët”.