Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako, mori pjesë në Forumin e Romës ku ishin të pranishëm të gjithë drejtorët e Policive të Ballkanit Perëndimor dhe Drejtorët e organizatave dhe agjencive që mbështesin policitë europiane si Europol, Interpol, SELEC, por edhe nga Bashkimi Evropian.
Takimi ishte një tavolinë e rrumbullakët ku u trajtuan çështje aktuale me të cilat përballen policitë e vendeve tona dhe që shqetësojnë sigurinë e publikut të tilla si terrorizmi, krimi i organizuar dhe migracioni i paligjshëm.
Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako në fjalën e tij u ndal në aspektet e bashkëpunimit me partnerët dhe në rëndësinë që Policia e Shtetit i vë bashkëpunimit ndërkombëtar si zgjidhja e vetme për të patur siguri në vendet tona.
“T’i kthejmë kufijtë tanë në barriera të pakalueshme për kriminelët dhe në vija të padukshme për qytetarët tanë”, tha ai në fjalën e tij..
Ndërkohë që Drejtori i Policisë pati një takim dypalësh me Prefektin Gabrielli, të Policisë Italiane.
Ai vlerësoi bashkëpunimin, duke thënë se kanalet e ngritura Interforza në Tiranë dhe oficerët e kontaktit në Bari e Romë, janë duke dhënë rezultate të shkëlqyera në drejtim të kapjes së të kërkuarve, parandalimit të vrasjeve, kapjes së trafikut me gomone e me mjete të tjera që trafikantët kanë filluar të eksperimentojnë, si avionë të vegjël e motora uji.
“Kjo është shenjë e një luftë pa kompromis që së bashku po bëjmë. Përgëzoj rritjen e bashkëpunimit edhe me Policinë e Kufirit në Bari me Drejtorin Xhelik dhe Kazavola, por edhe të Guardia di Finanza-s, me Kolonelin Maxhore të Repartit aerodetar e Repartet operative të Karabinierisë me Kolonelet Pellegrino e Barbera. Jam i lumtur të konstatoj se vendosja e një koordinatori tuaj në QNOD dhe vendosja e oficerit të kontaktit në Bari janë dëshmi e rezultateve të shkëlqyera në luftën kundër trafiqeve në det, por jo vetëm”, u shpreh Drejtori i Policisë së Shtetit.
Nga ana e tij Shefi i Policisë Italiane Prefekti Franco Gabrielli, tha se misionet prezente në Shqipëri të cilat asistojnë dhe punojnë krah për krah me Policinë e Shtetit janë të angazhuara dhe do të vazhdojnë të jenë të angazhuara maksimalisht edhe në të ardhmen në të gjitha fushat.
Shefi i Policisë italiane u shpreh se është krenar për miqësinë dhe bashkëpunimin dhe se do të angazhohet personalisht për konkretizimin e protokolleve për trafiqet dhe terrorizmin, protokollin për sezonin turistik dhe shkëmbimin e oficerëve të policisë në institutet e formimit policor.
Më herët Drejtori i Policisë u takua edhe me ambasadoren e Shqipërisë në Romë Anila Bitri. Në këtë takim ata trajtuan problematikat aktuale që hasin shtetasit shqiptarë në shtetin Italian, por edhe çështje që kanë të bëjnë me migracionin e paligjshëm dhe minorenët e pashoqëruar.