Një shtetas zvicerian ka gjetur një mënyrë shumë origjinale për të fituar para. Ndër vite ai ka koleksionuar dhjetra autografe nga yje të Hollywood-it, muzikës, futbollit dhe liderëve botërore të cilat i ka nxjerrë në shitje në eBay.
Ndër VIP-at që kanë dhënë një autograf për të është edhe ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i cili ka hedhur firmën e tij mbi një foto të realizuar në selinë e NATO-s në Bruksel në krah të ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës, Jaap de Hoop Scheffer. Pikërisht këtë foto me autografin e Berishës, zviceriani e ka nxjerrë në shitje kundrejt çmimit 80 USD.
Nga një vështrim i shpejtë ka bërë në profilin e koleksionit zvicerian në eBay rezulton se vlera e shitjes së fotos me autografin e Berishës është më e shtrenjtë se vlera që ai u ka vënë firmave të shumë nga yjeve të kinematografisë, muzikës apo edhe futbollit botëror.
Konkretisht foton me autografin e aktores së mirënjohur Gina Lollobrigida ai e shet për 65 USD, ndërsa atë të Brigitte Bardot për 27.99 USD.
Firma e Berishës rezulton të shitet më shtrenjtë edhe se e idhullit të tij në muzikë, francezes Mireille Mathieu, autografin e së cilës koleksionisti zvicerian e shet për vetëm 39.99 USD. Berisha le prapa edhe Enrique Iglesias, autografi i të cilit mund të blihet në eBay për 72 USD.
Bie gjithashtu në sy se vlera në dollarë e shitjes që koleksionisti zvicerian i ka vënë autografit të yllit të futbollit gjerman e atij botëror, Franz Bekenbauer është 30 USD, pra shumë herë më pak se sa shet atë të Berishës.
Ish-kryeministri shqiptar konkurron edhe ish-kancelarin e Gjermanisë për vlerën e autografit, kjo për firma e Gerhard Schroder shitet për vetëm 55 EUR.
Vlera e autografit të Berishës le pas edhe atë të ish-kreut të FIFA-s, Sepp Blatter, firma e të cilit është nxjerrë në shitje për 70 USD.
Është e paqartë pse koleksionisti zvicerian ka vendosur një vlerë të lartë për autografin e ish-kryeministrit të Shqipërisë megjithatë është fakt se në eBay ai ka “mundur” edhe yjet botërorë të kinematografisë, muzikës, futbollit por dhe politikës.
BW/d.i.